Telegrafi

Vdekja e 26-vjeçarit që u ther me thikë në Prizren, arrestohet edhe një i dyshuar

Një 26-vjeçar është therur për vdekje ditën e diel në Prizren, viktima u ther me thikë dhe u hedh nga një veturë.

Lidhur me rastin, policia njofton se ka arrestuar edhe personin e dytë, i cili dyshohet se nuk ka ndihmuar viktimën dhe po ashtu nuk ka lajmëruar rastin, transmeton Telegrafi.

“Njësiti i hetimeve rajonale të policisë në Prizren me datën 08.07.2024, përmes rrugëve operative ka arritur që të lokalizon dhe arreston të dyshuarin: H.B (viti i lindjes 1995), mashkull kosovar shqiptar)”, thuhet në njoftim.

Policia sqaron se arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjtit ka qenë i përfshirë në një rast “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186,pargrafi dhe “Mosdhënia e ndihmës” neni 188 paragrafi 4 si dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryeseve të tyre”, neni 378,par.1.pika 1.3, i cili ka ndodhur më datën 06.07.2024, në lagjen Bazhderana në Prizren.

Tutje, policia thotë se i dyshuari është shoqëruar ne SRH-Prizren, ku në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar.

“I dyshuari, ka qenë në dijeni për veprën penale si dhe kryerësin e veprës penale, i njëjti nuk e ka lajmëruar veprën penale si dhe kryesin e saj, po ashtu nuk i ka ofruar ndihme viktimës. Në lidhje me rastin në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një automjet me targa vendore, pronë e të dyshuarit H.B”, bën të ditur policia.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka udhëzuar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.

Rasti po hetohet nga njësiti i hetimeve të sektorit rajonal në Prizren.

Ndryshe, ngjarja tragjike ndodhi të dielën, lidhur me rastin i arrestuar është edhe një shtetas turk./Telegrafi/