Site icon Telegrafi

Vazhdon vendosja e numrave identifikues për shtëpi dhe objekte në Komunën e Malishevës

Gjatë ditës së sotme në territorin e Komunës së Malishevës ka vazhduar procesi i vendosjes së numrave identifikues për shtëpi dhe objekte, proces ky i cili pritet të përfundojë në një afat prej 15 ditëve.

Ky proces i vendosjes së këtyre numrave identifikues është parë nga afër edhe nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili këtë proces e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm.

“Vendosja e numrave identifikues është një hap i rëndësishëm për identifikimin dhe orientimin e saktë, përmirëson shërbimet publike, ndihmon në planifikimin e politikave urbane dhe zhvillimore, dhe krijon më shumë siguri për qytetarët tanë”,tha Kastrati.

Përveç Kastratit, i pranishëm gjatë këtij proceci, ishte edhe Drejtori i Urbanizmit i Komunës së Malishevës, Avdi Morina, i cili ka sqaruar se më herët janë vendosur një pjesë e numra identifikues, ndërsa tani po vazhdon realizimi i plotë dhe vendosja e të gjitha numrave për shtëpitë dhe objektet në të gjithë territorin e Komunës së Malishevës.

Sipas tij, projekti përfshin edhe 699 rrugë dhe 11,317 numra për shtëpi dhe objekte.

Tutje bëhet e ditur se ky projekt financohet nga Banka Botërore dhe po realizohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Malishevës. /Telegrafi/

Exit mobile version