Mesfushori fantastik i Kombëtares shqiptare, Herolind Shala ka qenë edhe njëherë njeriu i ndeshjes për skuadrën e tij Slovan Liberec.
Shala e ka nisur ndeshjen si titullar mes Pribram dhe ekipit të tij Slovan Liberec që shënoi fitore të vlefshme me rezultat minimal 1-0.
Ka qenë pikërisht Herolindi njeriu i kësaj ndeshje pasi ka shënuar golin e vetëm për kaltër e bardhët dhe për tri pikët e reja.
Po luhej minuta e 40-të kur Machuca harkoi në zonë për Shalën i cili fillimisht ndali topin me gjoks dhe mposhti mjeshtërisht portierin vendas.
Ky ishte goli i pestë i Shalës me Liberecin në kampionat derisa ka shtuar edhe gjashtë asistime.
Kujtojmë që 23-vjeçari ka shënuar dy gola edhe në Kupën e Çekisë si dhe ka qenë në listën e realizatorve për skuadrën e tij edhe në Ligën e Evropës.
Pas këtyre tri pikëve të reja, Libereci është ngjitur në pozitën e tretë me 39 pikë të tubuara. /Telegrafi/