Ndonëse Telegrafi kishte raportuar për rrezikun që e paraqet ngrohtorja e Spitalit të Pejës, për banorët që janë në atë rrethinë, gjendja aty vazhdon të jetë e njëjtë.
Për banorët e lagjes në afërsi të Spitalit, tymi që po e liron ngrohtorja, është kthyer në shqetësim serioz.
Sipas tyre, ky tym po e afekton direkt shëndetin e banorëve, duke bërë që disa prej tyre të preken nga sëmundjet e rënda në mushkëri.
Ambientalisti Xhevdet Belegu, njëherësh i prekur me kancer, ka thënë për RTV Dukagjini se nga kaldaja e Spitalit, “shumica e fëmijëve tonë do ta pësojnë me sëmundjet më të rënda që ekzistojnë”.
Sipas tij, fëmijët në atë pjesë do të fitojnë gradualisht sëmundjen e kancerit.
“Po flas për veti dhe po flasë ne emër të disa të sëmurëve në këtë lagje – që janë kryesisht më kancer”, ka shtuar Belegu.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka theksuar se kjo problematikë është në kompetencën e komunës së Pejës.
Derisa, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë për RTV Dukagjini se komuna do ta dërgojë inspektorin e ambientit, dhe do ta verifikojë këtë problem.
“Aty e kanë një akselator të vendosur në spital, për eliminimin e mbetjeve që nuk janë të rrezikshme, ndërsa pjesën tjetër e hedhin në deponinë e mbeturinave në fshatin Sferkë”, ka thënë ai.
Zëvendësdrejtori i Spitalit të Pejës, Xhavit Halitaj, nuk ndjehet mirë kur dëgjon për brengat e banorëve që banojnë në afërsi të ngrohtores së Spitalit.
Sipas tij, mazuti është i cilësisë normale dhe që lejohet për djegie në këtë ngrohtore.
“Nuk ka ndonjë shqetësim sa i përket përmbajtjes së mazutit dhe kaldajës. Ata shqetësohen në momentin kur nxehet kaldaja, sepse derisa ta arrij temperaturën maksimale, lëshon sasi të madhe të tymit”, ka shtuar Halitaj./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=_iExWsHN7SE