Edhe të mërkurën mbrëma (sonte) në Mitrovicën e Veriut u dëgjua një shpërthim që sipas zyrtarëve policorë dyshohet të jetë shok-bombë.
“Shpërthim i ngjashëm si ditëve të mëhershme. Nuk ka pasur dëme materiale e as të plagosur. Shpërthim i mjeteve të zëshme”, deklaroi Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.
Nga data 10 dhjetor, grupe të serbëve lokalë i barrikaduan rrugët në veri të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të një ish-polici serb.
Policia e Kosovës arrestoi Dejan Pantiqin, nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Gjatë kësaj periudhe, përveç të tjerave, u regjistruan edhe së paku pesë incidente ndaj ekipeve të gazetarëve në veri – në mesin e tyre edhe sulme direkte./Telegrafi/