Site icon Telegrafi

Varroset futbollisti Erion Kajtazi

Familjarë, bashkëlojtarë, trajnerë, mësimdhënës, shokë e miq të shumtë ia dhanë lamtumirën Erion Kajtazit.

Lojtari 17-vjeçar që veshi edhe fanellën e Përfaqësueses së Kosovës U17, gjatë ndeshjes kundër A&N në Prizren ra në tokë pa vetëdije, derisa kishte pësuar atak kardiak.

Me një njoftim për ceremoninë e varrimit të tij, kryetari i FFK-së, Agim Ademi bëri një shkrim emocionues për të në llogarinë e tij në Facebook:

Lamtumirë Erion!

Sot familjarë, bashkëlojtarë, trajnerë, mësimdhënës, shokë e miq të shumtë ia dhamë lamtumirën Erion Kajtazit, djaloshit, nxënësit e futbollistit shembullor mitrovicas.

Ikja e tij në lulet e rinisë la të pikëlluar jo vetëm familjen, por edhe të gjithë ata që e njohën, si dhe mbarë komunitetin e futbollit.

Eri, siç e thrrisnin të gjithë, ishte intelegjent, plot vullnet për jetë dhe me ëndrrën për t’u bërë emër i madh i futbollit.

Atëherë kur ishte në rrugën e duhur për ta realizuar ëndrrën e tij, Perëndia e mori afër vetes si një engjëll.

Eri shquhej si njëri nga talentet më të mëdhenj të gjeneratës së tij dhe ishte shembull në fushën e gjelbër. Ai e dha kontributin e tij edhe në fanellën e Kombëtares U17, derisa ishte afër transferimit në futbollin evropian, atje ku synonte ta ndërtonte karrierën e tij të bujshme.

Shuarja e Erit është dhembje e madhe për familjen dhe humbje e madhe për futbollin tonë.

Në këtë ditë pikëllimi të ndarjes fizike prej tij, lus Zotin që familjes t’i japë forcë për ta përballuar këtë dhembje të madhe.

Eri do të jetë pjesë e pandashme e çdo zemre që pati fatin ta njohë!

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! /Telegrafi/

Exit mobile version