Site icon Telegrafi

Varhelyi, mesazh Serbisë: Nuk ka vend në BE për ata që mohojnë gjenocidin

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka dërguar një mesazh përmes një videoje në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, shkruan DnevniAvaz, përcjell Telegrafi.

“Është detyra jonë e përbashkët sot të kujtojmë gjenocidin në Srebrenicë. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat, ndajmë pikëllimin e familjeve dhe të mbijetuarve të tyre. Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë tonë për paaftësinë tonë për të parandaluar dhe ndaluar luftën dhe gjenocidin. Është gjithashtu detyra jonë të sigurojmë përgjegjësi, është e rëndësishme të përsërisim të njëjtin mesazh çdo vit”, ka thënë ndër tjerash Varhelyi.

Prandaj, ka shtuar ai, “është detyra jonë të kujtojmë Srebrenicën përgjithmonë”, duke shtuar se “gjenocidi ndodhi jo vetëm në Srebrenica por edhe gjetkë”.

Ai ka kujtuar se ngjarjet në Srebrenica u njohën si një akt gjenocidi para dy gjykatave ndërkombëtare.

“Këto fakte të vërtetuara duhet të pranohen. Nuk ka vend në Bashkimin Evropian për ata që mohojnë gjenocidin dhe ata që lavdërojnë kriminelët e luftës”, citohet të ketë thënë ndër tjerash Varhelyi. /Telegrafi/

Exit mobile version