Vandalët vizatuan shenjën e kryqit të thyer nazist në dyert e ambasadës polake në Tel Aviv, një veprim që pason komentet e ditëve të fundit nga Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, në të cilat ai përdori shprehjen ‘keqbërësit hebrenj’ të Holokaustit.
Vandalët vendosën mbishkrime me të shara në dyert e ambasadës polake në Izrael. Policia tha se ka nisur një hetim mbi incidentin dhe është në kërkim të të dyshuarve.
Izraelitët janë të zemëruar me një ligj të ri në Poloni që dënon këdo që e quan gjenocidin nazist një ‘krim polak’.
Polemika shpërtheu të shtunën kur një gazetar në Konferencën e Sigurisë në Mynih e pyeti Kryeministrin polak, Morawieckin, nëse ai mund të burgoset për tregimin e historisë se si fqinjët e familjes raportuan nënën e tij tek nazistët në Poloni.
Udhëheqësit izraelitë dënuan menjëherë komentin e udhëheqësit polak.
“Ne jemi të bashkuar në këtë luftë. Duhet të jemi të fortë për kujtimin e vëllezërve dhe motrave tona të vrarë në Shoah. Por sot, më shumë se kurrë, duhet të punojmë për të arsimuar botën, madje edhe disa nga udhëheqësit e saj, për atë kohë të errët”, tha Presidenti izraelit, Rueven Rivlin.
Zëdhënësi i Kryeministrit Morawiecki, tha se ai në asnjë mënyrë nuk ishte përpjekur ta mohonte Holokaustin.
Rreth gjashtë milionë polakë, gjysma prej tyre hebrenj, u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët.
Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se ai kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij polak të dielën, duke i thënë atij se “krahasimi i aktiviteteve të polakëve me ato të hebrenjve gjatë Holokaustit është i pabazuar”. /Telegrafi/