Telegrafi

Van Dijk shqetëson tifozët e Liverpoolit me deklaratën për lëndimin e Alisson

Virgil Van Dijk ka dhënë një përditësim shqetësues sa i përket lëndimit që portieri brazilian Alisson e pësoi në fitoren e Liverpoolit ndaj Crystal Palace në udhëtim.

‘Të Kuqtë’ triumfuan me rezultat minimal 1-0 ndaj Palace për të shkuar kështu në kuotën e gjashtë fitoreve nga shtatë ndeshjet e para në elitën e futbollit anglez.

Ekipi i drejtuar nga Arne Slot qëndron në krye të tabelës me 18 pikë të fituara derisa humbja e tyre e vetme ka ardhur ndaj Nottingham Forest.

Sidoqoftë, gjatë kësaj ndeshje ata morën një goditje të rëndë kur Alisson u detyrua të largohej nga loja në minutën e 78-të.

Braziliani raportohet se ka pësuar një lëndim të muskujve hamstring dhe për këtë arsye pritet që me gjasë të mbetet jashtë fushave deri pas pushimit me kombëtare.

Pas pauzës me kombëtare Liverpooli do të përballet me një kalendar të ngarkuar me ndeshjet ndaj Chelsea, Arsenal dhe Aston Villa që janë paraparë të zhvillohen në tetor dhe nëntor, për të mos e përmendur këtu duelin ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve më 27 nëntor dhe atë ndaj Brightonit në Carabao Cup.

Në një intervistë të shkurtër pas ndeshjes, Van Dijk tha se lëndimi i Alissonit nuk duket aspak mirë.

“Lëndimi i Alisson nuk duket aspak mirë. Duket si një lëndim i muskujve hamstrig diçka që tashmë e kishte shqetësuar atë dhe nga kjo ishte rikuperuar”, ka thënë holandezi.

Në një prononcim të shkurtër për TNT Sports, Slot kishte thënë se nuk pret që Alisson të rikthehet para pushimit me kombëtare./Telegrafi/