Kapiteni i Liverpoolit dhe Holandës, Virgil Van Dijk, ka lavdëruar yllin e Barcelonës, Pau Cubarsi, duke e cilësuar 18-vjeçarin si lojtar të jashtëzakonshëm dhe duke parashikuar një të ardhme të ndritur për spanjollin.
Kur u pyet për Cubarsin në një prononcim për mediat pas ndeshjes, fytyra e yllit holandez ndryshoi dhe ai ishte i etur për të marrë pjesë në diskutimin për Cubarsin.
“Unë mendoj se ai është një talent i madh, një lojtar i veçantë. Të luash në atë nivel si 18-vjeçar, siç edhe ju e keni thënë tashmë, është e jashtëzakonshme”.
“Ai nuk është një lojtar tipik i stilit të Barcelonës sepse Pau pëlqen të luajë me pasime të gjata gjithashtu, shumë, ai është shumë i mirë në këtë aspekt dhe është diçka të cilën e pëlqej ta bëjë edhe unë gjithashtu”.
Këto fjalë të Van Dijk vijnë pak kohë pasi Cubarsi e kishte emëruar Van Dijk si mbrojtësin më të mirë në botë aktualisht në një intervistë për Mundo Deportivo.
Reprezentuesi holandez gjithashtu shprehu simpatinë e tij për lëndimin e Cubarsit dhe ishte optimist për talentin që zotëron ai.
“Isha i mërzitur për të sepse ai natyrisht u lëndua, por unë mendoj se ai është mjaft i talentuar dhe ne kemi një lojtar me të ardhme të ndritur”, përfundoi 33-vjeçari./Telegrafi/