Site icon Telegrafi

Van Basten kundër kinezëve të Milanit dhe Interit

Marco van Basten është i drejtpërdrejtë me fjalët, ashtu siç ishte në zonën e kundërshtarëve në vitet kur i magjepsi të gjithë me futbollin e tij.

Në një intervistë për gazetat italiane, ish ylli i Milanit nuk është i lumtur me zhvillimet te Milani.

“A e dini se çfarë më trishton më tepër? Të shikoj San Siron gjysmë të boshatisur. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme në kohët e mia. Ishte i stërmbushur kundër Napolit, por po kështu ishte edhe kur kundërshtar kishim Empolin”.

“Dhe gjërat nuk është se po shkojnë më mirë edhe në stadiumet e tjera të Italisë, që thuajse të gjithë kanë mbetur ashtu siç ishin në vitet 90. Te Milani mungojnë lojtarët e mëdhenj ashtu si edhe një strukturë moderne”.

Milan dhe Inter po tentojnë të ringrihen falë investimeve të kinezëve, por edhe kjo është diçka që nuk i pëlqen kampionit të madh, përkundrazi.

“Nuk mund të mendoj kinezët si pronarë të Interit dhe Milanit, dy klube kaq të lavdishme duhet t’u mbeten italianëve”.

“Nuk është thjesht një çështje stili apo historie, për Morattin apo Berlusconin. Është dhe pasioni, diçka që nuk ka çmim. Jo, Milani te kinezët është diçka që e kam të vështirë ta kapërdij”, ka thënë Van Basten.

Exit mobile version