Site icon Telegrafi

Valon Berisha zbulon se çfarë iu tha Alain Giresse pas pjesë së parë – sipas tij kjo ua sjelli fitoren

Valon Berisha ishte njeriu që zhbllokoi ndeshjen ndaj Qipros, që në pjesën e parë ishte e komplikuar, por në fund u fitua me rezultat 2-0.

Mesfushori shënoi një gol të bukur me një goditje të saktë nga jashtë zonës.

Berisha analizoi gabimet që bëri skuadra në pjesën e parë dhe tha se qartësia taktike ishte ajo që bëri diferencën dhe u dha tre pikët.

“E diskutuam këtë edhe në fund të pjesës së parë, pasi kishim shumë hapësira mes reparteve dhe nuk arrinim të rikuperojmë topin. Në pjesën e dytë mbajtëm pozicionet tona dhe u vendosëm mirë taktikisht, duke shtuar presingun dhe krijuar shumë raste. Jemi shumë të kënaqur që treguam fytyrën tonë të vërtetë në pjesën e dytë dhe morëm tre pikët, ndaj tani presim mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në stadium. Është një fillim mjaft i mirë dhe shumë i rëndësishëm, në një transfertë të vështirë, ndaj ishim përgatitur 100% për të marrë fitoren”, ka thënë fillimisht Berisha.

Lojtari i Remis ka treguar se çfarë iu ka thënë përzgjedhësi, Alain Giresse gjatë pushimit mes pjesëve.

“Ishim pak të stresuar të gjithë, pasi nuk ishim grup dhe nuk bënim të njëjtën gjë në pjesën e parë. Mua më kërkoi të ruaj pozicionin tim dhe të mos lëviz shumë. Bashkë me Bledin bëmë më mirë në pjesën e dytë, duke ruajtur zonat tona. Kjo ishte zgjidhja taktike, që na solli edhe fitoren e ndeshjes”, deklaroi Berisha.

Tutje Berisha shtoi se Kosova beson te vendi i parë, duke e ditur se ka edhe vështirësi për të arritur aty.

“Normalisht besojmë edhe ne. E dimë që ka për të qenë e vështirë, por me rëndësi ishte që morëm tre pikët sot. Sonte do të udhëtojmë drejt Kosovës dhe do të pushojmë, ndërsa nga nesër do të nisim të analizojmë Greqinë. Fillimi ishte i mirë dhe jemi maksimalisht të angazhuar për të bërë akoma më mirë. Do të provojmë të kualifikojmë Kosovën, ndonëse është e vështirë”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version