Kanë mbetur më pak se 72 orë deri në fundin e afatit kalimtar të janarit, ku këto orët e fundit janë duke u pritur me kureshtje të madhe edhe nga tifozët e klubeve kosovare.
Si kurrë më parë, shumë emra nga kampionati kosovar janë duke u përfolur për një transferim të mundshëm në klube të ndryshme evropiane.
Ballkani, Drita, Prishtina dhe Malisheva mund të mbesin pa lojtarët e tyre kryesor në ditët e fundit të afatit kalimtar dimërorë.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka shitur Qëndrim Zybën te gjiganti polak Legia Varshavës për shumën e 500 mijë eurove, por ky nuk është largimi i fundit që do t’i ndodhë suharekasve.
Në fakt ata kanë oferta për shumë yje të skuadrës, si Lumbardh Dellova, Edvin Kuc, Nazmi Gripshi, Almir Kryeziu dhe Albin Berisha.
Qendërmbrojtësi dardan, Lumbardh Dellova ka ofertë zyrtare nga New York City në SHBA, por edhe nga Viktoria Plzen, Ludogorets e Astana.
Deri më tani Ballkani i ka rezistuar të gjitha ofertave, derisa mbetet të shihet deri më 31 janar nëse do të mbetet rahoveciani në Suharekë apo do të largohet për ta bërë hapin e madh në karrierë.
Një tjetër futbollist që mund t’i largohet kampionëve në fuqi është sulmuesi Albin Berisha që ka ofertë nga Rumania me skuadrën Petrolul që po kërkon shërbimet e tij.
Nga klubi mund të largohet edhe kapiteni Edvin Kuc, i cili kërkohet në Azerbajxhan nga skuadra Baku, por edhe në Kazakistan ku Astana, Aktobe e Kairat Almaty.
Interesime të shumta ka pasur edhe për Nazmi Gripshin nga klube të ndryshme, por edhe për Almir Kryeziun.
Drita pritet t’i shes dy yjet e skuadrës, Jashari e Salihu në Ukrainë
Largime të rëndësishme pritet të ketë edhe Drita e Gjilanit, një tjetër skuadër që po kërkon titullin e kampionit në Kosovë.
Gjilanasit kanë një marrëveshje në parim me skuadrën ukrainase LNZ Cherkasy për shitjen e dy yjeve të skuadrës.
Mesfushori Muharrem Jashari dhe qendërmbrojtësi Hajdin Salihu do të largohen nga Drita për t’iu bashkuar kësaj skuadre për shumën e 400 mijë eurove, derisa gjilanasit do të mbajnë edhe një përqindje të kartonit nga shitjet e ardhshme.
Drejtuesit e dy skuadrave kanë gjetur një marrëveshje gjatë kohës sa po qëndronin dy skuadrat në Turqi për fazën përgatitore dhe zyrtarizimi është çështje orësh.
Malisheva dhe Prishtina rrezikojnë të mbeten pa lojtarët kryesorë
Drilon Hazrollaj dhe Jalen Blesa janë dy lojtarët e tjerë që kanë lënë gjurmë në pjesën e parë të sezonit në elitën e futbollit kosovar.
Malisheva dhe Prishtina mund të humbasin xhevahirët e tyre në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.
Hazrollaj konsiderohet si një nga talentët më të mëdhenj në vendin tonë dhe ai ka pasur një vit të jashtëzakonshëm në elitën e futbollit kosovar me gola e asistime.
Shumë skuadra kanë shprehur interesim për transferimin e tij nga Evropa, megjithatë Malisheva deri më tani i ka rezistuar të gjitha ofertave.
Gjithsesi deri në fund të ‘merkatos’ kanë mbetur edhe disa orë dhe e ardhmja e Hazrollajt vazhdon të jetë e paqartë së paku deri më 31 janar.
Në të njëjtën situatë si Malisheva është edhe Prishtina që gjithashtu mund ta humbas top shënuesin e tyre Jalen Blesa.
Sulmuesi spanjoll ka shumë kërkesa nga klube polake, rumune, moldave e sllovene.
Dinamo Bukuresht, Sheriff Tiraspol, Mura dhe Cracovia kanë shprehur interesim për shërbimet e tij, derisa 72 orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të parë nëse Blesa do të largohet nga Prishtinaapo do të mbetet në kryeqytetin kosovar.
Kur kanë mbetur më pak se 72 orë deri në fund të afatit kalimtar të janarit, Superliga e Kosovës mund të mbetet më e varfër sa i përket cilësisë pasi shumë yje mund të largohen, por klubet kosovare do të jenë më të pasura nga shitja eventuale e tyre. /Telegrafi/