Please enter at least 3 characters.

Ushtarët rusë po vdesin shkaku i ujit të helmuar

Gazeta britanike, The Sun ka raportuar se të paktën katër ushtarë rusë kanë vdekur në dhimbje të mëdha pasi pinë ujë në fushën e betejës pranë Donetskut, nga shishe me etiketën “Uji ynë”.

Sipas të njëjtit burim, rusët dyshojnë për një sabotim të mundshëm nga ana e ukrainasve, ndërkohë që disa ushtarë të tjerë ndodhen në gjendje kritike.

Mediumi shkruan se uji është shpërndarë si pjesë e një ndihme humanitare dhe ka ardhur nga Simferopoli, në Krimenë e aneksuar. Incidenti, sipas pretendimeve të njëjta, ka ndodhur në zonën e Pantelejmonivkës dhe ka shkaktuar alarm nëpër kanalet ushtarake pro-ruse.

Gazeta britanike thotë se ka parë pamje shqetësuese ku ushtarët e helmuar shihen duke u dridhur nga dhimbjet gjersa disa kanë humbur edhe ndjenjat kurse mjekët përpiqen t’i shpëtojnë.

Në një nga pamjet, thuhet se dëgjohet një ushtar që pyet shokun “a e piu ujin?”, ndërsa një tjetër zë përgjigjet “po i ka dalë shumë keq.”

Kanali pro-Kremlinit në Telegram, Tsargrad, ka kërkuar një hetim urgjent dhe ka ngritur pyetje se kush e solli ujin, si arriti në vijën e frontit dhe kush mund ta ketë helmuar.

“Situata kërkon një hetim të thelluar,” thuhet në reagim, duke paralajmëruar ushtarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me çdo lloj pijeje.

Ndërsa disa burime ruse tashmë pretendojnë se kemi të bëjmë me një akt sabotimi nga Ukraina, The Sun thekson se për momentin nuk ka prova konkrete që ta vërtetojnë këtë version.

Artikulli përmend edhe një burim ukrainas, i cili sugjeron se mund të bëhet fjalë për mbidozë droge, dhe se historia e ujit të helmuar mund të jetë një përpjekje për të fshehur probleme të brendshme brenda njësive ruse.

Deri tani nuk ka asnjë konfirmim nga burime të pavarura ose legjitime – historia është transmetuar vetëm nga tabloidi britanik dhe mediat pro-ruse. /Telegrafi/