Pjesëtarët e Njësitit të Kërkim Shpëtimit të Togut të Ujërave janë gjithmonë të gatshëm për të ndërhyrë. Ushtarët e FSK-së përgatiten dhe trajnohen vazhdimisht që të jenë të gatshëm për ofruar ndihmë dhe për të shpëtuar jetën e qytetarëve.
Zhytësit e FSK-së me pajisjet e tyre profesionale ofrojnë ndihmë në të gjitha vendet ujore.
Në kazermën “Adem Jashari” në Pomozotin, ata nisin ditën në orët e hershme të mëngjesit, ku edhe kryejnë inspektimin.
Pas inspektimit, anëtarët ekipit të Kërkim Shpëtimit vazhdojnë me ligjëratat dhe trajnimet e specializuara.
Ligjëratat që ata ndjekin përfshijnë tematika të ndryshme, duke u nisur nga siguria në ujë, teknikat e zhytjes, kuptimin e kushteve të ndryshme të ujit, dhe strategjitë për të ndërhyrë në raste emergjente.
Telegrafi ka përcjellë nga afër një ditë të zhytësve të FSK-së, ku pas inspektimit dhe ligjëratave ata përfundojnë ditën e tyre me zhytje.
Para zhytjes, ata kontrollohen edhe një herë nëse kanë të gjitha pajisjet për intervenim në ujë.
Zhytësit marrin komanda nga jashtë përmes litarit, ndërsa gjenden nën ujë ata nuk mund të shohin asgjë pasi kanë të mbuluara syzet.
Nga Njësiti i Kërkimit Shpëtimit deklaruan se përmes këtyre aktiviteteve, ata zhvillojnë dhe forcojnë aftësitë e tyre, duke u bërë gati për të reaguar dhe për të ofruar ndihmë në rast të emergjencave në ambientet ujore. /Telegrafi/