Përplasjet virtuale mes ministrit Hekuran Murati dhe deputetes Hykmete Bajrami, janë duke vazhduar.
Së fundmi një gjë e tillë ka ndodhur lidhur me procedurën e prokurimit për kontratat njëburimore. Ishte fillimisht ministri Murati ai i cili akuzoi opozitën për shpifje e propagandë lidhur me këtë temë.
“Tash e disa muaj keni dëgjuar nga opozita shpifje dhe propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara. Në prononcimet e tyre, kontratat me procedurë të negociuar ata i quajnë gabimisht dhe qëllimshëm, herë kontrata njëburimore, e herë tenderë sekretë, duke përdorur shifra të mëdha dhe flasin për keqpërdorime për të krijuar përshtypjen te publiku se këtu me të vërtetë duhet të ketë diçka”, ka shkruar Murati.
Ministri theksoi se prokurimi me procedurë të negociuar është një praktikë e parashikuar dhe e ligjshme në Ligjin për Prokurimin Publik, në nenet 34 dhe 35.
E pas kësaj ka reaguar deputetja Hykmete Bajrami. Bajrami ka paraqitur të dhëna konkrete për kontratat e lidhura në periudhën 22 mars 2021 – 1 shtator 2024, të cilat janë të disponueshme për publikun.
“Ku janë shpifjet? Ku është propaganda?” pyeti Bajrami në reagimin e saj, duke iu drejtuar ministrit Murati. Ajo theksoi se të dhënat janë të qarta dhe të verifikueshme.
E pas kësaj ka reaguar sërish ministri i Financave, Hekuran Murati. Murati ka shkruar se Bajrami është zmbrapsur.
“Nga qëndrimi i mëparshëm se “kontratat me procedurë të negociuar janë të paligjshme dhe hajni”, Hykmetja tani vetëm paska treguar që e ka pyetur KRPP-në dhe ata i janë përgjigjur duke i dhënë shifrat për numrin dhe vlerën e kontratave të negociuara”, ka shkruar Murati.
Ai ka shtuar se “këto të dhëna i kam shfaqur edhe unë, madje jo veç për periudhën 2021-2024, por që prej 2008-tës. Pra deri këtu jemi në rregull”.
Murati tutje ka shtuar se me deputeten Bajrami dallimin e kanë tek fakti se kontratat e negociuara janë të ligjshme, ndërkaq për Bajramin dhe një pjesë të opozitës janë të paligjshme dhe hajni.
“Urdhëro pra Hykmete, na trego se në cilat kontrata keni vjedhur në vitin 2015, kur ju keni qenë ministre, dhe 16.1% e vlerës së kontratave të nënshkruara atë vit kanë qenë me procedurë të negociuar, meqenëse kontratat e tilla sipas teje qenkan hajni. Skena për ty”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/