Forcat ukrainase kanë arritur të shkatërrojnë istikamet e rusëve dhe t’i shndërrojnë në varreza në qytetin e Bakhmutit, rreth të cilit ukrainasit dhe rusët zhvillojnë luftime të ashpra prej muajsh, ka njoftuar zyra e rojeve kufitare të Ukrainës në kanalin zyrtar në Telegram.
“Këmbësoria e Federatës Ruse ka hapur istikame në një pjesë malore. Luftëtarët tanë ato kanë arritur t’i godasin me predha. Pesë prej pushtuesve janë varrosur në ta, e katër tjerë janë plagosur gjatë sulmeve”, thuhet në kumtesë, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë që Rusia për sulme në lindje të rajonit Donbas ishte mbështetur tek mercenarët e Wagnerit, përfshirë qindra të burgosur që ishin rekrutuar në këtë organizatë famëkeqe.
E mobilizimit i qindra mijëra rezervistëve tjera në fund të vitit të kaluar, i mundësoi Moskës të rrit numrin e ushtarëve të rregullt, që kishin pësuar humbje jashtëzakonisht të mëdha në fillim të luftës.
Ndërkaq me marrjen e armëve moderne, Kievi mëton që të çlirojë çdo pëllëmbë të territorit të Ukrainës, përfshirë edhe Krimenë e aneksuar nga rusët në vitin 2014. /Telegrafi/