Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se vendi i tij po synon të zhvillojë bisedime për paqen deri në fund të shkurtit – rreth përvjetorit të shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se kjo ka të ngjarë të jetë në Kombet e Bashkuara, me Sekretarin e Përgjithshëm, Antonio Guterres si një ndërmjetës të mundshëm, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Kuleba theksoi se është “absolutisht i kënaqur” me rezultatet e vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në SHBA javën e kaluar.
Ministri i Jashtëm tha se diplomacia do të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e konfliktit në Ukrainë.
“Çdo luftë përfundon si rezultat i veprimeve të ndërmarra në fushën e betejës dhe në tryezën e bisedimeve”, citohet të ketë thënë ai.
“Kombet e Bashkuara mund të jenë vendi më i mirë për mbajtjen e këtij samiti, sepse kjo nuk ka të bëjë me një favor ndaj një vendi të caktuar”.
“Kjo ka të bëjë me të vërtetë për të sjellë të gjithë në tryezë”.
Përpara se Rusia t’i bashkohet bisedimeve, Kuleba tha se Kremlini së pari duhet të gjykohet për krime lufte në një gjykatë ndërkombëtare.
Ai gjithashtu minimizoi komentet nga Moska se Rusia është e gatshme për negociata, duke shtuar: “Ata thonë rregullisht se janë gati për negociata, gjë që nuk është e vërtetë, sepse gjithçka që bëjnë në fushën e betejës dëshmon të kundërtën”.
Ditët e fundit, Vladimir Putin ka pohuar se është gati për të negociuar, por se Ukraina nuk është e gatshme për diçka të tillë. /Telegrafi/