Grupi i parë i aeroplanëve të shumëpritur F-16 kanë mbërritur në Ukrainë, ka njoftuar Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, si dhe një zyrtar amerikan, një përpjekje kjo që pritet ta ndihmojë Kievin në rindërtimin e forcave ajrore.
Bëhet e ditur se F-16 të ndërtuar nga Lockheed Martin kanë qenë në listën e dëshirave të Ukrainës për një kohë të gjatë për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese dhe disponueshmërisë globale.
Aeroplani luftarak është i pajisur me një top 20 milimetërsh dhe mund të mbajë bomba dhe raketa.
“F-16 në Ukrainë. Një tjetër gjë e pamundur doli të ishte plotësisht e mundur”, shkroi Landsbergis në X.
F-16s in Ukraine. Another impossible thing turned out to be totally possible.
— Gabrielius Landsbergis🇱🇹 (@GLandsbergis) July 31, 2024
Ndërkohë, zyrtari amerikan në kushte anonimiteti pranoi se dorëzimi ka përfunduar, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, Forcat Ajrore të Ukrainës ende nuk kanë komentuar në lidhje me dorëzimin.
Ndryshe, Danimarka është zotuar të dhurojë gjithsej 19 aeroplanë, ndërsa Holanda ka premtuar të dorëzojë 24 të tillë.
Norvegjia gjithashtu do t’i dhurojë Ukrainës 6 aeroplanë luftarakë F-16.
Siç raportohet, pilotët dhe stafi tokësor ukrainas janë trajnuar nga partnerët perëndimorë për muaj të tërë. /Telegrafi/