Site icon Telegrafi

Udhëtimi drejt misionit të pasëndërtuar

Edward Morgan Forster (1879–1970)

Përsiatje nga leximi i romanit Udhëtimi në Indi të E. M. Forsterit

Nga: Lirak Karjagdiu

E. M. Forsteri (1879 – 1970) është një ndër prozatorët, romansierët dhe shkrimtarët më të njohur dhe më të rëndësishëm modern anglez. Ai është shkolluar në Tarbrixh dhe në Kolegjin “Kings”, të Kembrixhit. Fill pas mbarimit të studimeve, Forsteri iu përkushtua në tërësi letërsisë dhe arriti të bëhej një ndër romansierët, eseistët dhe kritikët letrarë më të shquar të kohës. Ai në shkrimet dhe veprat e tij letrare, nga njëra anë shfaqi një interesim të veçantë për sjelljen e anglezëve jashtë vendit, ndërsa, nga ana tjetër e kritikoi mënyrën e sjelljes së anglezëve, sidomos në kolonitë e Anglisë në vende të ndryshme të botës. Pas përfundimit të studimeve, gjatë vitit 1901 dhe 1902, Forsteri udhëtoi në Mesdhe dhe kjo ia bëri të mundur atij që ta njohë më mirë Evropën dhe të mësojë për të në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe autentike. Gjatë këtyre udhëtimeve në Evropë Forsteri ishte magjepsur dhe mrekulluar nga paganizmi grek dhe Renesanca italiane.

Në vitin 1903, miqtë e tij të Kembrixhit themelojnë revistën “Pavarësia”, e cila angazhohej kundër imperializmit agresiv dhe promovonte politika të majta. Në këtë revistë, ai shpërfaqi dhe shprehu botëvështrimet, pikëpamjet dhe konceptet e tij për politikën, shoqërinë, artin dhe letërsinë. Mirëpo, pikëpamjet e tij ishin të ndikuara nga ato të kolegëve dhe miqëve të tij intelektualë, shkrimtarë dhe politikanë, që shkruanin për atë revistë. Do thënë se qysh në shkrimet e tij të hershme vihej re një tendencë për tejkalimin, evitimin dhe shmagien e normave, teknikave dhe stilit viktorian, që mbizotëruan në letërsinë angleze të pjesës së dytë të shekullit të XIX-të. Me shkrime filloi të merrej qysh në rini dhe në përgjithësi mund të thuhet se ka qenë mjaft produktiv dhe kreativ, ngase i ka dhuruar letërsisë angleze dhe botërore disa romane dhe vepra të rralla dhe të veçanta.

Ca nga veprat e tij që vlen të përmenden janë: “Aty ku engjujt druajn të shkojnë” (1905), “Udhëtimi më i gjatë” (1907), “Një dhomë me pamje të bukur” (1908), “Fundi i Hovardit” (1910), “Omnibusi hyjnor” (1911), “Maurice” (1911), “Udhëtimi në Indi” (1924), “Aspekte të romanit” (1927), “Momenti i përjetësisë” (1928), “Bregu apo djalli” (1953), etj. Është interesant se ai u cyt dhe u frymëzua për të shkruar romanin e tij “Udhëtimi në Indi” nga një udhëtim i tij në Indi në vitin 1912. Gjatë këtij udhëtimi, ku qëndroi për gjashtë muaj, ai u mrekullua dhe u impresionua nga orientalizmi pothuajse po aq sa u magjeps nga Renesanca italiane dhe paganizmi grek gjatë bredhjeve dhe shtegtimeve të tij në Evropë, kur ishte i ri. Është intresant se, në Indi ai vizitoi një mik të tij musliman, të cilin e kishte takuar në Angli dhe në Kembrixh dhe i cili e inspiroi për të krijuar dhe sajuar njërin nga personazhet kryesore të romanit të tij “Udhëtimet në Indi”, Dr. Azizin. Në Indi ai e vizitoi edhe Bankiporin, që ndodhet në rajonin e Bengalit (të cilin në roman e përshkruan si Chandrapore) dhe vizitoi shpellat e Marabarit, që po ashtu përmenden në këtë roman. Vlen të ceket se gjatë vizitës në Indi, ai ia doli mbanë që t’i shkruajë shtatë kaptina të romanit, mbase më të mirë të tij, “Udhëtimi në Indi”, që njëherit është edhe njëri ndër romanet më të njohura, më të spikatura dhe më të popullarizuara të letërsisë moderne angleze. Gjatë Luftës së Dytë Botërore E.M. Forsteri shërbeu si zyrtar i Kryqit të Kuq në Aleksandri të Egjiptit. Ndërkaq, në vitin 1921, Forsteri e viziton sërish Indinë, por kësaj radhe ai e shfrytëzoi rastin për t’i dhënë fund romanit të tij “Udhëtimi në Indi”. Ndërkaq, vdes në vitin 1970, në Koverti.

Paragjykimet si nxitëse të konflikteve

Ndonëse proza, e sidomos romani ishte fomësuar dhe etabluar si një ndër zhanret dhe gjinitë kryesore letrare, megjithatë në fillim të shekullit XX-të romansierët anglezë kërkonin dhe hetonin tema, motive dhe stile të reja rrëfimore. Gjatë kësaj periudhe u shënua një ngritje dhe rritje e tendencës, që në shumë romane moderne, të identifikohen, diagnostifikohen dhe adresohen plagët, trendet dhe rreziqet nga dukuritë negative dhe devijimet ne shoqëri. Prandaj, filluan të shohin dritën ca romane që nisën sheshazi ta kritikojnë dhe fshikullojnë politikën imperialiste të Britanisë. Forsteri një ndër romansierët më të spikatur dhe më të guximshëm që, pa askurrfarë frike, ngurrimi dhe hezitimi, kritikoi dendur si politikën e brendshme ashtu edhe të jashtme të Britanisë jo vetëm ndaj Indisë, por edhe ndaj vendeve të tjera. Një politikë e tillë kritikohet sidomos në romanin e tij “Udhëtimi në Indi”, që konsiderohet si një ndër veprat më të njohura të letërsisë moderne angleze. Do vënë në pah se Forsteri njihet si shkrimtar që u ka kushtuar vëmendje dhe kujdes të veçantë marrëdhënieve ndërnjerëzore. Madje, me një rast, ai pati deklaruar se “Nëse do të duhej të zgjedhja midis tradhëtisë së vendit dhe mikut, mbase do të kisha kurajon dhe guximin të them se do ta tradhtoja më parë vendin tim”.

Në veprat e tij, në përgjithësi dhe në romanet e tij, në veçanti ai në themel të vëmendjes dhe preokupimit të tij ka angazhimet dhe impenjimet për të vërtetën, tolerancën, modestinë, përkorinë, vetëpërmbajtjen, durimin dhe mirëkuptimin, sidomos në raportet midis njerëzve, racash të ndryshme. Ndërkaq, romanet e tij ai trajton në mënyrë mjaft të guximshme barrierat që ekzistojnë në komunikimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe të shëndosha midis racave, kombeve, etnive, shtesave dhe gjinive të ndryshme, nga njëra anë, dhe midis artit të mirëfilltë dhe jetës, nga ana tjetër.

Ca nga këto tema dhe probleme Forsteri rreket t’i trajtojë dhe shqyrtojë në mënyrë autentike edhe në romanin e tij “Udhëtimi në Indi”, i shkruar në vitin 1924. Do cekur se ky roman shquhet nga veprat e tjera të tij, për shkak të temave politike që trajtohen në të. Në epiqendër të vëmendjes së këtij romani, është pushtimi, okupimi apo kolonizimi i Indisë nga Britania, i cili zgjati edhe pas botimit të romanit “Udhëtimi në Indi”. Dihet se Britania ka luajtur një rol të konsiderueshëm në marrëdhëniet politike në Indi, që nga viti 1760, por nuk ia ka dalur mbanë ta vë nën zap dhe ta kontrollojë në plotëni Indinë edhe pas një shekulli. Mirëpo, ndërkohë India ka bërë përpjekje të vendosura dhe të pareshtuara për të fituar pavarësinë nga Britania. Gjatë viteve të 20-ta të shekullit të kaluar në skenën politike indiane shfaqet edhe Mohatma Gandi, një ndër liderët më të shquar indian të asaj kohe, kur Forsteri e shkruan romanin “Udhëtimi në Indi”. Tekefundit, pas më shumë se njëzet vitesh dhe pas shumë përpjekjesh, luftash dhe sakrificash, Parlamenti i Indisë ia doli që ta shpallë pavarësinë në vitin 1947, duke marrë vendim që të ndahen India dhe Paksitani dhe të krijohen si dy shtete të pavaruara dhe sovrane.

Dilemat e një miqësie

Ngjarjet në romanin “Udhëtimi në Indi” ndodhin në Indi. Në roman përshkruhen në mënyrë transparente dhe të hapur marrëdhëniet dhe raportet anglezo-indiane si dhe konfliktet dhe përplasjet midis Lindjes dhe Perëndimit. Këto marrëdhënie ishin të tendosura, të rezervuara dhe me përplot paragjykime, që buronin dhe shkaktoheshin nga armiqësit, paragjykimet, keqkonceptimet dhe keqkuptimet. Ato sfidonin, pengonin dhe paradënonin përpjekjet për stablizimin, normalizmin dhe avansimin e marrëdhënieve anglezo-indiane. Vlen të vihet të spikamë se ky roman, nga njëra anë është kritikuar për paragjykime, pasaktësi, lajthitje dhe ndikim negativ, ndërsa, nga ana tjetër, nga ca kritikë është vlerësuar si një vepër e veçantë dhe e rrallë që i përshkruan dhe i pasqyron në mënyrë të mirëfilltë dhe të çiltër zakonet, doket, traditat, mentalitetin dhe kulturën e pjesëtarëve të një kombi nga një shkrimtar dhe autor i një kombi tjetër.

Romani ndahet në tri pjesë, pjesa e parë titullohet Xhamia, e dyta Shpella dhe e treta Tempulli apo Faltorja. Në themel të vëmendjes së këtij romani është protagonisti Dr. Azizi, një mjek musliman, i cili kishte mirëdashësi, entuziazëm dhe madje edhe simpati për britanikët në fillim, por që shumë shpejt kridhet në zhgënjim, dëshprim dhe demoralizim nga nëpërkëmbjet, fyerjet, fodëllëku dhe përçmimi i kolonizatorëve anglezë. Në fillim të romanit lind një simpati dhe miqësi midis Dr. Azizit dhe zonjës Mur, e cila kishte ardhur për ta vizituar të birin e saj Roni Hisllopin, që punonte si gjykatës. Tok me të kishte ardhur edhe Adella Kuestid, e cila ndonëse ishte e pahir dhe jo aq tërheqëse, ishte e re, serioze, entuziaste dhe shumë e sinqert në fillim. Ato kishin ardhur në Indi në radhë të parë për t’u njohur më për së afërmi dhe më drejpërdrejtë me popullin, adetet, traditat, zakonet, institucionet dhe kulturën e vërtetë dhe të njëmendët indiane, duke u përçapur vazhdimisht që t’i shporren dhe shmangen paragjykimeve, tabuve dhe snobizmit që dominonte në qarqet angleze të asaj kohe. Ndërkohë, z. Sirill Filldingut, drejtorit të kolegjit shtetëror anglez në qytetin Çandrapon, i kishte lënë përshtypje qëndrimi i hapur dhe miqësor i Adellës ndaj indianëve. Ndaj, ai e organizon një gosti, në mënyrë që mysafiret të njihen më mirë me vendasit, me ç’rast i fton Adellën, zonjën Mur, mikun e tij hindus profesor Golldbollin, ndërkaq me insistimin e Adellës, Filldingu e fton edhe Dr. Azizin në ndeje.

Është interesant se gjatë kësaj ndeje Dr. Azizi dhe Fieldingu krijojnë një afri, simpati dhe miqësi, e cila shënon ngritjet dhe rëniet e saj përgjatë gjithë veprës dhe përmes së cilës autori orvatet, përçapet dhe rropatet t’i pasqyrojë dhe përshkruajë edhe marrëdhëniet dhe raportet midis Britanisë dhe Indisë. Këtu lindin edhe shkëndijat e para të miqësisë anglezo-indiane që sfidohen gjatë gjithë kohës deri në fund të veprës. Kështu, fill pas kësaj ngjarjeje, Azizi organizon për pjesëmarrësit e ahengut të Filldingut një ekskursion në shpellat e Marabarit, me ç’rast ndodhë një ngjarje e paparashikuar dhe mjaft misterioze, e cila krijon mosmarrëveshje dhe armiqësi, i tendos marrëdhëniet anglezo-shqiptare dhe pothuajse i rropos të gjitha gjasat për krijimin e marrëdhënieve të mira midis anglezëve dhe indianëve. Kjo ngjarje shënon edhe pikën kulminate të veprës. Në të vërtetë ajo që ndodhë është se Adella e akuzon dhe e paditë Azizin për dhunim dhe fyerje gjatë kohës sa kishin qëndruar në shpellë, ndaj ai burgoset dhe gjykohet. Gjatë kësaj kohe marrëdhëniet anglezo-indiane arrijnë pikën më të ulët. Për fat të mirë, ndërkohë Adella e tërheqë padinë e saj. Mirëpo, Azizi zhgënjehet, dëshprohet dhe demoralizohet aq rëndë dhe aq thellë saqë vendosë të shkojë të jetojë në një qytet të largët të Indisë, ku nuk do t’i takonte më “miqtë” e tij të vjetër anglezë. Ndërkaq, në pjesën e tretë dhe të fundit të romanit Azizi paraqitet duke jetuar i tërhequr dhe i izoluar, duke punuar, duke u kujdesur për familje, duke lexuar poezi dhe duke e mësuar persishten. Mirëpo, ate e viziton miku i tij anglez z. Fillding, ish-drejtori i kolegjit shtetëror. Gjatë këtij takimi ata zhvillojnë një dialog tejet dramatik, intensiv dhe interesant, ku diskutojnë dhe debatojnë gjërë e gjatë rreth ardhmërisë së Indisë, me ç’rast Dr. Azizi shpreh, sipërfaqëson dhe shpërfaq botërisht dhe pa hezitim opinionin e tij se në të vërtetë si ai dhe Filldingu ashtu edhe anglezët dhe indianët mund të bëhen miqë të njëmendët dhe të mirëfilltë vetëm atëherë kur Britania të tërhiqet nga India. Ky opinion i tij është edhe njëra nga porositë më kryesore, më të fuqishme, më gjithëpërfshirëse dhe më kuptimplote të kësaj vepre.

Ky roman trajton një dilemë. A mund të ekzistonte miqësia midis anglezëve dhe indianëve, në kontekstin dhe rrethanat e kolonializmit britanik në Indi? Forsteri e përdorë këtë mëdyshje si kornizë për të përshkruar, shpalosur dhe shqyrtuar çështjen e përgjithshme të kontrollit politik të Indisë nga Britania, në përgjithësi dhe marrëdhëniet anglezo-indiane, në veçanti, përmes marrëdhënieve dhe miqësisë së personazheve kryesore të romanit Azizit dhe Filldingut. Është interesant se trajektorja e ngritjes dhe rënies së marrëdhënieve midis këtyre personazheve kryesore e ndjek kurbën e marrëdhënieve anglezo-indiane. Kështu, në fillim Azizi kishte rezerva dhe jo vetëm që nuk i honepste anglezët, por edhe i përqeshte dhe fliste me romuze për ta. Më pas, fillon një miqësi e sinqertë midis tij dhe zonjës Mur në xhami, kur ajo i zbathë këpucët para se të hynte në xhami, duke e treguar respektin e saj për tempullin e shenjtë të muslimanëve. Kjo e befason dhe madje në një çast edhe e cyt Azizin ta ndryshojë qëndrimin që kishte pasur ndaj anglezëve në fillim. Më vonë ai krijon një miqësi edhe me Filldingun.

Padyshim, Forsteri ishte i mendimit se sundimi i anglezëve në Indi do të ishte i mundshëm dhe i suksesshëm vetëm nëse Britania dhe India do ta trajtonin njëra-tjetrën njësoj sikur që Azizi dhe Filldingu e trajtonin shoqi-shoin në roman, pra si të barabartë, të sinqertë, inteligjentë, dashamirës dhe miqësorë. Por, pasi Adella e akuzon Dr. Azizin dhe e padit për tentimdhunim ai zhgënjehet dhe e humb besimin në miqësinë me anglezë. Përveç kësaj, marrëdhëniet midis personazheve angleze dhe indiane, përshkohen nga një klishetizim dhe paragjykim i ndërsjellë, gjë që i vështirëson, i pengon dhe i pamundëson këto marrëdhënie.

Është interesant se Forsteri në fund të romanit në mënyrë shumë simbolike i përshkruan marrëdhëniet anglezo-indiane edhe përmes përshkrimit të pamjeve, tablove dhe peizazheve të vrazhta, të vështira me plot pengesa të Indisë, që duken pothuajse të patejkalueshme, e që në të vërtetë simbolizojnë dhe flasin për vështirësitë, sfidat dhe pengesat e realizmit të miqësisë anglezo-indiane. Ndërkaq, vizioni dhe qëndrimi i Forsterit për mundësinë e krijimit të miqësisë midis anglezëve dhe indianëve ishte mjaft i zbehtë dhe madje pesimist. Kjo për faktin se në fund të romanit ai e lë mundësinë dhe hapësirën e krijimit të kësaj miqësie vetëm pasi Britania të tërhiqej dhe largohej nga India dhe kur India të ishte e lirë dhe e pavarur. Ajo që na lë përshtypje më së shumti në këtë roman është se, ndonëse Forsteri e kritikon mënyrën se si e sundohej India nga Britania, ai nuk ishte kundër pushtimit, kolonizimit dhe sundimit të Indisë, por ishte kundër mënyrës se si e bënte këtë Britania. Njëherësh, ai megjithëse përmes këtij romani i porosit anglezët që të jenë më të sjellshëm dhe më të kujdesshëm ndaj indianëve, ai nuk ngritet, impenjohet dhe angazhohet për largimin dhe tërheqjen e Britanisë nga India. Madje, gjithë këtë kritikë ndaj anglezëve në këtë roman Forsteri nuk e bën në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, por përmes një ironie dhe satire të hollë, të mprehtë dhe subtile.

Në fund, do thënë se ky roman është përkthyer në shumicën e gjuhëve të rëndësishme botërore, gjë që flet për popullartitetin e këtij romani në botë. Njëherësh, ky roman padyshim është një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë moderne angleze, ndaj le të shpresojmë se do të përkthehet shumë shpejtë edhe në gjuhën shqipe. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version