Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit deklaroi sot se udhëheqësit e Hamasit janë larguar nga Doha, por mohoi raportimet se Katari ka urdhëruar mbylljen e përhershme të zyrës politike të kësaj organizate ekstremiste palestineze dhe dëbimin e drejtuesve të saj nga kryeqyteti i Katarit.
Ky i fundit, i cili ka shërbyer si ndërmjetës në bisedimet e tërthorta për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh për të burgosur palestinezë midis Izraelit dhe Hamasit, ka pezulluar këto përpjekje për shkak të pakënaqësisë në rritje për mungesën e përparimit.
“Nëse ka ndonjë vendim për mbylljen e përhershme të zyrës, do ta dëgjoni këtë lajm këtu ose në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha sot për gazetarët zëdhënësi i Katarit, Madzhid bin Muhamed al-Ansari, shkruan reuters.
“Udhëheqësit e Hamasit që janë pjesë e ekipit negociator nuk janë aktualisht në Doha dhe, siç e dini, ata lëvizin midis kryeqyteteve të ndryshme. Zyra në Doha u krijua për procesin e ndërmjetësimit – është e qartë se kur nuk ka proces ndërmjetësimi, zyra nuk ka asnjë funksion”, tha Al-Ansari.
Ai nuk tregoi se ku janë larguar udhëheqësit e Hamasit dhe nuk e përjashtoi mundësinë që Doha të rikthehet në rolin e saj si ndërmjetës.
“Pezullimi i përpjekjeve negociuese në asnjë mënyrë nuk nënkupton që ka një qëndrim të Katarit për t’u tërhequr nga përpjekjet për de-përshkallëzim ose që ka një ndryshim në pozicionin e shtetit të Katarit në lidhje me nevojën për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha zëdhënësi.
Ndryshe, Hamasi është një prej dy fraksioneve kryesore të Palestinës, së bashku me Fatah. /Telegrafi/