Site icon Telegrafi

A i prishi Kurti raportet me ShBA-në dhe a po i ndihmon Rama, Kosovës? Flet ish-ambasadori Çejku

Diplomati, njëherit ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku gjatë intervistës për emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu ka folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me gjendjen në veri.

Çejku tha se për Shqipërinë porta e parë e marrjes së informacionit duhet të jetë Kosova, e më pas siç tha ai të jepen reagime për situatën në veri të Kosovës.

“Sa i përket reagimit të kryeministrit të Shqipërisë, Rama dhe reagimeve të tjera sigurisht që ato janë reagime publike dhe secili mund t’i kuptojë në mënyrën e vet, por ajo që mund të them sot është që ne duhet të jemi të gjithë realist kur marrim komentet tona për zhvillimet në veri dhe organet e shtetit shqiptarë duhet të jenë në një koordinim më të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, pastaj të kenë komentet e tyre në raport me Serbinë apo me faktorin ndërkombëtar. Pra, porta e parë e marrjes së informacionit duhet të jetë Qeveria e Kosovës, pasi çdo marrëdhënie e jona me Serbinë së pari kalon nga Prishtina”, ka vlerësuar Çejku.

Mirëpo, siç u shpreh diplomati shqiptar, kryeministri i Kosovës, Kurti ende nuk ka paraqitur një platformë konkrete se çfarë hapash do të ndërmarrë për të rregulluar situatën në veri të Kosovës.

“Nuk duhet të harrojmë një gjë se pavarësisht inkuzioneve të dënueshme dhe të paligjshme në veriun e Kosovës, është Kosova ajo që ka përgjegjësinë e saj në këtë pjesë të territorit……mendoj që Kurti ende nuk e ka përkthyer në vepër presionin ndërkombëtar dhe sidomos reagimin e drejtpërdrejtë të ShBA-së”, ka thënë Çejku.

I pyetur se a janë shqetësuese këto reagime, ai tha: “Ju e dini që Kosova herë pas here ka pasur disa keqkuptime, fërkime, mospajtime me ShBA-në, nëse ju kujtohet çështja e demarkacionit, Gjykata Speciale, etj….Kosova pavarësisht marrëdhënieve strategjike me ShBA-të, herë pas herë ka pasur dhe ajo disa çaste, por ka pasur mirëkuptim nga ShBA-të dhe me dialogun e sinqertë janë tejkaluar. Është rasti i parë që ShBA-të ndërmarrin hapa konkret, sanksionimi apo largimi i Kosovës nga stërvitja e ‘Defender 23’ dhe po ashtu bërja publike e këtij vendimi, si një lloj sanksioni  ndaj Kosovës, apo dënimi”.

Lexo po ashtu Ish-ambasadori i Shqipërisë, Çejku: Nëse Qeveria Kurti ka një listë të agjentëve të Serbisë të infiltruar në Kosovë ta bëjë publike

Çejku po ashtu theksoi se është bërë një kohë e gjatë që Qeveria e Kosovës dhe ShBA-të janë kundërthënës me njëra – tjetrën dhe nuk ka një pajtueshmëri tradicionale mes tyre.

Siç vlerësoi ai ky është dëmi më i madh që i shkaktohet sot Kosovës.

“Pavarësisht deklaratave, veprimet janë ato që tregojnë një mospajtim. Mendoj që humbja më e madhe është për Kosovën, e cila ShBA-në e ka aleatin e saj strategjik”, tha tutje diplomati Çejku.

Gjithashtu ai vlerësoi se kryeministri Kurti, vepron përtej kapaciteteve, mundësive dhe arsyeve të tij si kryeministër në raport me ShBA-në.

“Karshilliku dhe mungesa e takimeve me ambasadorin amerikan dhe konsiderimi si një qasje naive e sekretarit Blinken që në fakt nuk është thjesht Blinken, por, Departamenti i Shtetit dhe të gjitha agjencitë e ShBA-së duke i konsideruar naive, mendoj që kanë dhe do të kenë një kosto politike për kryeministrin Kurti dhe forcën e tij politike”, tha ndër të tjera Çejku. /Telegrafi/

Exit mobile version