Site icon Telegrafi

U përleshën gjatë derbit, Dybala me një provokim të rëndë ia kujton Guendouzit humbjen e Francës në finale nga Argjentina

Roma ka fituar derbin lokal ndaj Lazios, një fitore që mungonte që dy vite për Giallorosët.

Ka qenë një derbi i jashtëzakonshëm me atmosferë të zjarrtë në tribuna, derisa Roma fitoi me rezultat minimal 1-0 sfidën shumë të tensionuar.

Një nga përplasjet më të mëdha ishte ajo mes sulmuesit argjentinas të Romës, Paulo Dybala me mesfushorin francez të Lazios, Matteo Guendouzi.

Pasi dyshja u përplas në fushë, u desh ndërhyrja e gjyqtarit dhe bashkëlojtarëve të tyre për t’i qetësuar gjakrat. Megjithatë Dybala u përkujdes për ta provokuar në mënyrë unike mesfushorin francez.

Ylli argjentinas largoi nga këmbët njërën mbrojtëse dhe ia tregoi në fytyrë Guendouzit.

E në mbrojtëse Dybala kishte fotografinë e tij me trofeun e Kupës së Botës të fituar në Katar, ku ai me Argjentinën e tij e kishin mposhtur Francën.

Guendouzi ishte në bankën rezervë të Francës dhe sigurisht që ai nuk do ta harrojë lehtë këtë provokim nga Dybala, i cili doli fitues me Argjentinën në finale, por edhe e mposhti në derbin lokal me Romën.

Sulmuesi argjentinas edhe në fund të ndeshjes e provokoi francezin duke i festuar në fytyrë, njësoj siç kishte bërë Guendouzi me Andrea Belottin në ndeshjen e parë.

Dybala fitoi gjithçka ditën e shtunë. Tre pikët në fushë, por edhe përplasjen dhe provokimet përballë mesfushorit francez. /Telegrafi/

Exit mobile version