Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit B.G., i cili është ndaluar me urdhër të prokurorit më 19 maj 2024.
“I pandehuri dyshohet se më 19.05.2024, rreth orës 00:30 min., në Graçanicë, më konkretisht në një autolarje, në bashkëkryerje me një të mitur (i cili gjendet në arrati), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë hapur me forcë aparatet e autolarjes dhe nga aty kanë marrë para metalike në vlerë prej 500 eurosh, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm pasuror”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, sipas njoftimit në ditën e njëjtë, i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me të miturin, në fshatin Uglarë, për qëllime të njëjta, kanë hapur me forcë bankomatin që shërben për këmbimin e parave nga ato të letrës në ato të metalta, si dhe kanë hapur të gjitha arkat e tjera dhe nga aty kanë marrë para në vlerë prej 3600 euro, e më pastaj me taksi janë larguar nga
vendi i ngjarjes.
Me këto veprime kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”, sipas KPRK-së.
“Gjithashtu, i pandehuri B.G., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/