Këngëtari Jozi ka qenë në qendër të kritikave të ashpra në spektaklin e Big Brother VIP Albania, pas transmetimit të një klipi të një ngjarjeje të pakëndshme që kishte ndodhur gjatë javës.
Në klip, Jozi shihej duke u munduar ta puthte me zor Loredanën, një tjetër banore e shtëpisë, veprim që u përshkrua si i papërshtatshëm dhe shqetësues nga opinioni publik.
Ngjarja e bëri Jozin shënjestër të kritikave si nga opinionistët në studio ashtu edhe nga publiku i gjerë. Megjithatë, në vend që të kërkonte falje dhe të reflektonte mbi veprimin e tij, Jozi shkaktoi edhe më shumë indinjatë me deklaratën e tij të papritur: “Po mundohet kjo kultura e perëndimit të na ndryshojë, por meshkujt shqiptarë janë gjallë akoma”.
Kjo deklaratë, që shumëkush e interpretoi si një mbrojtje për veprimin e tij të diskutueshëm, nxiti një valë reagimesh të menjëhershme. Prezantuesi i spektaklit, Ledion Liço, reagoi me një qëndrim të prerë, duke dënuar ashpër fjalët e Jozit: “Meshkujt shqiptarë që tentojnë me zor t’i bëjnë diçka një gruaje e kanë vendin diku tjetër dhe jo në Shqipëri apo në familje”.
Deklarata e Ledionit u mirëprit nga publiku si një mesazh i qartë kundër sjelljeve të tilla të papranueshme dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe respektin për gratë.
Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në rrjetet sociale dhe media mbi rëndësinë e edukimit dhe respektit gjinor, duke nënvizuar nevojën për të dënuar sjelljet që cenojnë lirinë dhe të drejtat e individëve. /Telegrafi/