Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se vendet e QUINT-it, të cilat kritikojnë Listën Serbe për thirrjen për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës më 21 prill, duhet të turpërohen nga akuzat e tilla.
Vuçiq, duke iu përgjigjur gazetarëve pas një takimi me delegacionin e Republikës Srpska, tha se vetëm 3.4 për qind e qytetarëve kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës vitin e kaluar.
“Pashë që disa po përpiqen të predikojnë, çfarë pafytyrësie”, tha Vuçiq, duke përgjigjur në pyetjen e gazetarit në lidhje me faktin se QUINT-i po ua hedh fajin serbëve për bojkotin e shpallur të votimit më 21 prill.
Siç raporton B92, Vuçiq tha se Albin Kurti fillimisht i organizoi zgjedhjet në të cilat dolën 3.4 për qind e qytetarëve, ndërsa më parë kishte kryer aksione të panumërta kundër serbëve.
“Arrestuan serbët, keqtrajtuan, rrahën, plagosën… Pastaj ai [Kurti] organizoi zgjedhje brilante me 3.4 për qind të njerëzve që dolën. Por kjo nuk është problem. Ata na thanë pranoni të merrni pjesë dhe ata do të japin dorëheqjen. Kur ne pranuam, thonë – nuk do të japin dorëheqje”, ka kujtuar Vuçiq, transmeton Telegrafi.
Pas kësaj, thotë ai, nga QUINT-i u kanë thënë serbëve që të paraqesin peticion, ku do të duhej të mblidheshin nënshkrimet e 20 për qind të votuesve të regjistruar.
“Dhe kur me të gjitha dredhitë e Kurtit, i mbledhim ato nënshkrime, thonë – jo, hajde të shkojmë në referendum. Dhe referendumi kërkon 50 plus 1 votë. Epo nuk ka edhe aq serb duke jetuar atje… Regjistruan aty edhe 862 persona”, theksoi presidenti i Serbisë.
Sipas tij “ndaj të gjithave këtyre reagoi Lista Serbe dhe theksoi se në fakt është e pakuptimtë, sepse serbët nuk mund të durojnë më terrorin”.
“Edhe pas 3,4 për qind të atyre që kanë dalë në votime thonë – Beogradi është fajtor? Turp të keni. Shikohuni në pasqyrë, o gënjeshtarë”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka përsëritur se Serbia po përballet me një periudhë të vështirë në të cilën do të vendoset edhe anëtarësimi i Serbisë në Këshillin e Evropës.
Ai tha se me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa plotësuar kushtet dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe gjithçka tjetër, në fakt po e nxjerrin Serbinë nga ajo organizatë.
“Do të shohim. Është e gjitha në të njëjtat ditë. Ne do të luftojmë lidhur me këtë…”, tha Vuçiq.
Ndryshe, shtetet e QUINT-it, kanë kërkuar nga Lista Serbe që t’i rishqyrtojnë vendimet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me zgjedhjet e 21 prillit.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë pranojnë se, në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimet për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës.
Kjo kërkohet si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në njoftim.
“Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”, theksohet tutje.
Sipas QUINT-it, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. /Telegrafi/