Site icon Telegrafi

Turistë të droguar, shtohet numri i të huajve që trajtohen nga varësia e heroinës në Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Luftës ndaj Drogave e gjen Shqipërinë  me një fenomen të ri që po përhapet me ritme të shpejta, të huaj që vijnë si turistë e që përfundojnë duke u trajtuar nga varësia e heroinës apo kokainës.

Po vijnë turistë, por edhe të varur nga drogat. Përherë dhe më shumë, kryesisht përdorues të heroinës e kokainës, po u drejtohen qendrave të trajtimit të varësisë në vend.

“Nga Italia për shembull ka shumë pushues që vijnë si turistë e njëherazi marrin trajtim në qendrat tona”, deklaron punonjësi social në “Aksion Plus”, Oltion Korreshi.

Në një kohë që sezoni turistik veror ende nuk e ka prekur kulmin, pritshmëritë janë për shtim të mëtejshëm të numrit të të varurve që kërkojnë ndihmë.

“Periudha e verës normalisht e shton fluksin e këtyre personave dhe duhet të themi q1% numri po vjen në rritje nga viti në vit. Nëse para 3-4 vitesh kishim 30-40, numri është shumëfish më i lartë tani”, thotë Korreshi.

Ka edhe nga ata të huaj turistë, që tashmë kanë marrë statusin e rezidentit në Shqipëri në përpjekje për të luftuar varësinë nga droga.

“Një pjesë e konsiderueshme janë rikthime dhe vijë me dokumentacion nga jashtë. janë kryesisht përdorues heroine, por kemi edhe raste të varësisë nga kokaina”, shprehet Korreshi.

Të dhënat nga qendrat e trajtimit të varësisë nga drogat tregojnë se pjesa më e madhe e të huajve që kërkojnë ndihmë janë të grup-moshës nga 21 e deri në 29 vjeç./A2 CNN

 

 

Exit mobile version