Hetimet e hershme mbi turbulencat e rënda që goditën një aeroplan të aviokompanisë Singapore Airlines të martën e kaluar, zbuluan se fluturakja ra rreth 54 metra për 4.6 sekonda.
Një pasagjer britanik vdiq dhe dhjetëra të tjerë u lënduan kur aeroplani Londër-Singapor u përball me turbulencat mbi Mianmar, dhe iu desh të bënte një ulje emergjente në Tajlandë.
Hetuesit nga Singapori kanë nxjerrë të dhëna të ruajtura në regjistruesin e të dhënave të fluturimit, dhe regjistruesin e zërit të kabinës së aeroplanit, transmeton Telegrafi.
Raporti i tyre paraprak tha se ndryshimet e shpejta në forcën gravitacionale (G) shkaktuan rënien e lartësisë – e cila është paksa e lartësisë së Kullës së Pizës në Itali – dhe ka të ngjarë të lëndonte ata që nuk mbanin rripat e sigurimit.
Singapore Airlines tha se po bashkëpunon me hetuesit dhe po mbështet pasagjerët dhe ekuipazhin e prekur, duke përfshirë shpenzimet mjekësore dhe spitalore.
Gjetjet paraprake të Byrosë së Hetimit të Sigurisë së Transportit (TSIB) thanë se fluturimi funksionoi normalisht derisa ndoshta fluturoi mbi një zonë të “zhvillimit të aktivitetit konvektiv” ndërsa kalonte mbi jug të Mianmarit në 11,300 metra lartësi.
“Ndryshimet e shpejta në G gjatë kohëzgjatjes 4.6 sekondash rezultuan në një rënie të lartësisë prej 54 metrash”, thuhet në raport. /Telegrafi/