Site icon Telegrafi

Tundimi i Kazanxaqisit

Nga: Krenar Zejno

Një ditë, Kazanxaqisi (Nikos Kazantzakis) e shenjoi veten kujtesë në ditar: E gjithë vepra ime Devizë, këtë synim ka, Come l’uom s’etterna. Nxjerrë nga nata e Ferrit origjinal, lënë në danteske origjinale, nga ai që e pat përkthyer krejt Komedinë Hyjnore në vetëm 45 ditë.

“Asketika”, traktat i udhakimit të shpirtit human drejt përparimit, nën njësimin e një materializmi të skajshëm dhe idealizmi romantik, ashtu si krejt vepra e tij, gjer te teksti i fundit i tij “Udhëtim në Malin e Shenjtë” (botim Zenit, 2013), përbashkon dy skajet: nisjen e tij kah e përpjeta reale e jetës si dhe përpjekjes spirituale deri në fund të saj.

Opusi Kazanxaqis ngrehet në mbi njëqind volume, e prapëseprapë, në aq pak e pjesërisht e copa-copa sa e njoh, vjen e dallueshme kudo koherenca dhe ripërtëritja e të njëjtës lakore dilematike, shquar prej mbarë studiuesve të tij, që përshkon ndërkalimin lëndë- shpirt, jetë-vdekje, dhe njeri-Zot apo Zot-njeri.

Jeta, në vizionin Kazanxaqis, ashtu si dhe e vetja, është Luftë. Një përpjekje për vdekje përkundër Vdekjes. Dikush e sheh më pranë një vizioni heraklitian (lufta si kryezot i gjithçaje) e dikush tjetër më afër një manuali paqtimi budist. Si përmbushja e përjetimi i saj, ashtu edhe vepra, të pandashme nga njëra-tjetra, shpërfaqen si buletin lufte dhe fundojnë në një manual të luftës; ndeshje trup me trup: për të triumfuar ndaj materialitetit duke e transformuar atë në shpirt. Dinamika vepruese në jetë edhe ajo e veprës: gati të përputhura. Si brenda dy trikëndëshash barabrinjës të mbivendosur: Guxim, Qëndresë, Dyluftim. Arma mjet: dinamit kundër padijes, nënshtrimit, shkrehjes, lëshimit, bindjes së verbër, si dhe shpërfilljes ndaj epidemisë që shfaros kulturën, kudo ku simptoma shfaqet. Tipari themelor përmbajtësor: kundërvënia e të kundërtave, por: nën finalitetin për t’i bërë bashkë ato si premisë e qëllim zhvillimi.

“Vijmë nga humbëtirë e errët; rikthehemi në një humbellë terri. E vetmja hulli që përçon ndritim mes të dyjave është çka quhet Jetë. Posa lindim nis përpjekja për të krijuar, kompozuar, blatuar e plazmuar lëndë jete; lindim në çdo çast… E ndërkohë… çdo çast vdesim!” Skemë piramidale antipodesh apo si dy faqet e një mali, ku njëra anë është e përpjeta e ngjitjes, drejt lartësimit, jetës, mosvdekësisë, dhe ana tjetër, tatëpjeta e rënies drejt zhbërjes, lëndës, vdekjes. E në këtë përmbushje të ciklit, gjithsesi të pareshtur e sërish në gatishmëri për rinisjen e një cikli të ri, të dyja anët i shfaqen Kazanxaqisit “të shenjta”. Një shenjtëri kjo deri në kundërsens; trajektore drejt vetebërjes së njeriut njeri, gjer dhe vet-hyjnizimit. Ndaj “dhe luftojmë të gjithë, me tërësej – bimë, kafshë, njerëz e ide – ndër këtë shkarje kohë, që është jeta vetiake, për t’i vënë rregull Kaosit brenda nesh e përpunuar terrin total që pllakos në trupat tanë, dhe për t’iu hedhur Dritë… Nuk është Zoti që do të na shpëtojë, porse: ne do shpëtojmë Zotin, duke luftuar, krijuar, shndërruar materien në shpirt”.

Kazanxaqisi shkrimtar, rrëfimtar bartës i traditës orale dhe filozofisë, vjen edhe si një mendimtar humanist i moralit të epërm vizionar, si dhe aktit e devizës sublime. E si në të tillat raste, ku një moto a devizë është edhe shpallje e drejtpërdrejtë e synimit, tundimi i citimit mbetet i fortë e mbase dhe më efikas. Do mund ta shpallnim si apel të tij vetë pozicionin nga i cili ai mendon se është i apeluar nga fuqitë, përmbi të apo bri tij: “Na duhet të shpëtojmë nga shpëtimi e prej shpëtimtarëve… Zoti im nuk është omnipotent, ai ndeshet, rrezikon, në çdo çast mbrun e blaton mbi çdo entitet, thërret. Pareshtur humbet dhe sërish hov, baltosur në gjak e lerë e rinis ai luftën. Dhe thotë: ji disident, i shqetësuar, i pakënaqur… kur një shprehi degjeneron në shprehje konformizmi, shkatërroje!”

I mbetet njeriut pra, barra e rëndë, e tmerrshme, të shpëtojë Zotin. Ndaj dhe nëntitulli Salvatores Dei Asketika e tij ngulmon në bindjen pa ekuivok që thelbi i Zotit tonë është Lufta e në këtë luftim veprojnë përjetësisht Dhimbja, Gëzimi dhe Shpresa. Se si e përpjeta sjell dhimbjen, mirëpo dhimbja nuk është assesi sovranitet absolut. Çdo fitore implikon gëzimin dhe të dyja shpresën eterne për t’i shpëtuar vuajtjes. E ky cikël nuk gjen askurrë prehje. Vepër e mendimit teorik, sa filozofik edhe poetik, Asketika është njëherit alterego e vetë “asketit” Kazanxaqis, porse një asket veprimi, me të pesë kapitujt e traktatit të tij, si e si për të mos kapitulluar: Përgatitja – rrugëtimi – vizioni – aksioni – besimi. Ai e pat bërë qysh nga vepra fillimtare “Fukaraja i Zotit”, përmes Franceskut, paktin për t’i qëndruar e shkuar më tej pyetjes shokuese dhe pa asnjë shpresë përgjigjeje shkokluese “Com’è possibile che ci sia il Paradiso, se c’è anche l’Inferno?”.

Kurse, në fund, jehona e saj sikur vjen nga pesha e vet e kryqit: “Unë, klithma, jam zoti yt! Nuk jam një guvë, as strehë, e as shpresa. Nuk jam as ati, as biri, as shpirti. Jam gjenerali yt! Ti nuk je një skllav, as lodër në duart e mia, je shoku i betejës. Mbroji me guxim llogoret që të kam besuar! Ke detyrimin dhe mundësinë për t’u bërë një hero i pjesës tënde. Duaje rrezikun. Duaje përgjegjësinë. Dhe thuaj: unë, vetëm unë, kam detyrën të shpëtoj botën. E nëse nuk shpëton, do të jetë veçse faji im”. Kjo përleshje e njeriut me demonët e kësaj bote, kjo ndeshje, kjo luftë, mbetet e vetmja përligjje e vërtetë e ekzistencës në këtë botë.

Të shkosh përkundër kohës në të cilën jeton – apelon Kazanxaqisi përmes gojës së Franceskut qysh në të parën vepër -, është kjo detyra e njeriut të lirë!

“Deri në caqet kufij gjëndet njeriu; tej limiteve Zoti. Për aty po bëj të nisem, Dhespoti im, thotë Francesku, teksa merr për nga porta – e kish me ngut”. E kështu, nën gjurmët e idhullit të vet, edhe Kazanxaqisi ndërmerr atë nisje rrugëtimi lartësim, duke na lënë në shtigjet e kalimit, siç e thotë tani një adhurues i tij, gjurmën vijim të një vizge gjaku.

“Odisea”, poemë që mbahet si kryevepra qëndrore, konsideruar e tillë edhe prej tij, ka një Uliks të degdisur prej mërzie familjare, hyjnive të lodhura dhe zakoneve të ndenjura të Itakës ku s’u kthye më, tek endet nëpër 33.333 vargje (botuar vetëm në 33 kopie!), në kërkim të një Egjypti të ri. Të një antikiteti të vërtetë, një të vërtete prej arkaizmi të dëlirë.

Ky është vetëm fillimi i qindra faqeve ku, për më tepër një lexues si unë, jo ngulmues, pasi i shkon faqet nëpër të, duke e hasur gjithsesi edhe analogjinë e agonisë së qytetërimit perëndimor dhe frymën e nihilizmit, për të cilat shkrimtarit iu ndaluan librat, diku më tutje ndërmendet përsëri mbi të ketë padrejtësi, përsaqë vepra Kazanxaqis është, në fakt, edhe një ode për historinë dhe figurat e mëdha të Perëndimit. Dhe shprehje e një religjioziteti aq të sinqertë, të dlirë. E ndërkaq, ky soj lexuesi ka mbërritur i kapitur te fundi.

Në fund të këtij udhëtimi rraskapitës nëpër Afrikën e zezë e mu në kërthizë të saj – pasi është pjekur me guru spiritual si Homeri, Buda, Krishti, si dhe me arketipe fantazie shpirtrash gjeni, Don Kishoti, Hamleti, Fausti, po nën emra të tjerë (Kazanxaqisi e përktheu Faustin vetëm për dy javë) -, Uliksi i tij e mbërrin detin nga bregu i peshkatarëve gjuetar të fokave, ku e presin si një Zot dhe e ndihmojnë të ngrehë barkën e vet arkëmort. Me të cilën zhytet i vetëm fillikat për lundrim.

Derisa i shfaqet Karonti mjekërbardhë që përngjan si sozia i tij, mbushur me vurrata e stigma plagësh, teksa të dy i jepen në heshtje vakie një udhëtimi solidar. Gjersa arka të përplaset me akullnajën. E këtu, Odisea Kazanzaqis i falet me shëndet të pesë shqisave që e ndihën të përfshijë botë dhe pastaj lëshon britmën e thërret gjithë krijesat që ka dashur, të cilat do të ngrihen hopthi nga varret dhe aviten drejt tij. Sakaq, ai ngre lart dorën e triumfuesit në krahët e mortjes dhe në fund u thotë: Jepini, djema, era e vdekjes po na fryn në kiç!

Me erën që fryn në mendimin e Kazanxaqisit dhe përshkon gjithë veprën e tij, vijnë tërë korrentet që shqetësonin shekullin, luftrat pa dinjitetin, perceptimi i sensit të absurdit, pesimizmi, frika nga rreziku i rënies së kozmosit në kaos.

Nën një skemë dhe trajtë antitetike shqyrtimi, sipas modelit që vetë ai e ka tipike, mund ta kemi më të lehtë ta perceptojmë edhe mbushjen me përmbajtje pikërisht përmes të kundërtave: temë qëndrore e tij. Ndonëse subjekti Odisea përfundon nën një kadencë mortore, ne e ndjejmë edhe hovin vital që bën ta kthejë atë nga kahu i pavdekësisë.

Si t’i flasësh mortjes të dëgjojë përjetësia. Gjithë duke qënë ky lartësim drejt jetës një kalvar i vërtetë mundimi. Arketipik, por gjithaq edhe një kalvar më vete, autentik. Në lëndën e Kazanxaqisit, përshkrimi i mundimit prej Krishti në kalvar është i pandashëm nga përshkrimi i kalvarit të një tundimi prej Krishti.

Në këtë pikë, vjen pothuaj organike afëria me atë frymë nihilizmi niçean, ndikimit të fortë prej të cilit nuk i shpëton dot as Kazanxaqisi i profilit filozof, nxënës i Bergsonit e përçues vrulli elan vital dhe përvoje të drejpërdrejtë i figurës së Supernjeriut.

Një shqyrtues grek vëren se ndërsa kallëpi gjermanik niçean paraqitet i prefabrikuar teologjikisht, i krijuar, i bërë, dhe shpallur veç për t’u pranuar, tjetri, model Kazanxaqis, qëndron në të bërët.

Le të themi, në mbarsje, në të bërë e sipër, në mbrujtjen divenir ose, më shqip mbërje (siç e kam pagëzuar dikur e këtu nën frymën e aksketikës gjej rastin t’i jap vetes hakun, bashkë me përgjegjësinë). Pra, si një procesus ardhjeje e formësimi, duke u modeluar vijimisht. Në përpjekjen e të përpjetës, në të përpjetën e përpjekjes. Një lloj Mbinjeriu si vizion dhe praksis së toku. Zarathustra i tij qëndrestar, shpallet i tillë që në faqen e parë të veprës, tek “I gëzohej shpirtit të tij dhe vetmisë së vet, e nuk u lodh as për dhjetë vjetë”.

Ai konceptim amorfatum i Niçes, te Kazanxaqisi apelon: Gjeni penel edhe bojë ta pikturoni vetë parajsën, që pastaj vetë të kalleni brenda saj. E kështu, siç e kam hasur të përcaktuar e koncize diku: ndërsa njëri emëron si Zot njeriun, tjetri emërton Zot udhën e njeriut, si udhë drejt Njeriut.

“Nuk shpresoj asgjë, nuk kam frikë asgjë, jam i lirë”. Konsumohet shpesh e masivisht kjo shprehje si më e përhapura moto identifikuese e shkrimtarit. Porse, e nxjerrë nga konteksti, siç ngjet rëndom në shoqërinë e konsumit, të materiales, nuk përputhet me çka shpall vetë ai si të tillë. E sigurisht, as me vullnetin e tij për t’ia vendosur epitaf. Ja dhe një tjetër konsiderim i drejtpërdrejtë, meqë është e rëndësishme ta shpërngulim për te kontekst më i gjerë: “Perëndi, në qoftë që të dua ngase shpresoj të më shpiesh në parajsë, dërgo një engjëll me shpatë të më dëbojë nga dera, e nëse të dua pse kam frikë ferrin, më hidh në ferr. Ama, në të dua ty për ty, dhe vetëm për ty, pranomë në gjirin tënd”

Asgjëja më sipër, nuk duhet interpretuar si nihilizëm më shumë se si përmasë e absolutes, e diku si këtu, mbase edhe si rivale përgjegjëshmërie absolute e poetit ndaj botës. Nuk janë thjesht kundërthënie këto, ca më pak kundërthënie të thjeshta, po edhe dëftues i atij konvulsioni shkumëzues aq dilematik i marrëdhënies së ndjerë dhe të vështirë me besimin e fetarinë, nga rastet më të ndërlikuara që hasen te një shkrimtar i kohës së vonë.

Në fund të Udhëtimit në Malin e Shenjtë, Kazanxaqisi pat zbritur përsëri në rrëzë të të shenjtit Athos. Në atë zabelin ku përvoja e udhëtimit të përvuajtur (për t’u mbajtur parasysh kjo edhe si kuptim i termit pasion, e për ta lexuar shqip “Pasionin e Krishtit” edhe si “Përvojtje e Krishtit”) vjen e përmblidhet në një varg të vetëm nën kadencë besimi. Atë që poeti, si t’i kish mbirë, ashtu siç ngjet shpesh, befasisht e gati pabesisht, e tha:

I thashë bajames: «Motër, më fol për Zotin».

Dhe çeli lule.

Dhe është kjo finale me çeljen, ajo që na e devijon e shpërngul vizionin e shkrimtarit si nga destinacioni i një ateizmi filozofik niçean, ashtu dhe nga kozmoteizmi prej Zoti-Natyrë të Spinozës, që e pararend atë dy shekuj përpara, ndonëse e ka patur të tijën qysh natyralizmi grek.

Është ky eksklamacion i fundëm i metaforës së mrekullimtë të çeljes së beftë, me të cilën përmbyllet vepra e tërë e tij, e që ku më mirë se nga pozitat e poetikes mund të shenjojë çastin çelës të kuptimeve, një prej të cilëve do të kumbonte:

Rroftë njeriu, lart e më lart jeta, dhe broftë e vërteta!

 

 

Exit mobile version