Ushtarët izraelitë e qëlluan dhe e vranë një adoleshent palestinez gjatë një përplasjeje në Bregun Perëndimor të premten, tha ministria palestineze e Shëndetësisë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, dhuna shpërtheu në një protestë kundër vendbanimeve izraelite pranë qytetit të Nablus, thanë dëshmitarët.
Ushtria izraelite në anën tjetër e quajti atë “një trazirë me qindra palestinezë”.
“Protestuesit dogjën goma, hodhën gurë dhe lëshuan fishekzjarrë drejt trupave (izraelite) të cilët ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes, duke rrezikuar jetën e tyre”, tha një zëdhënës ushtarak.
“Trupat u përgjigjën me mjete për shpërndarje të trazirave dhe hapën zjarr drejt protestuesve”, thuhet më tej.
Një palestinez 15-vjeçar u qëllua dhe më vonë vdiq nga plagët e marra, tha ministria e Shëndetësisë. /Telegrafi/