Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Çfarë do të thotë Presidenca Trump për Ukrainën? Shumë spekulime përkitazi me “tradhtinë” e mundshme të vendit, të cilat përqendrohen në ndërprerjen e mundshme të furnizimeve me armë, ndërlidhen me pranimin e aneksimit rus të pjesëve të territorit ukrainas.
Territori dhe armatimi janë dy çështjet kryesore. Por, një çështje tjetër më pak e diskutuar po shfaqet gjithashtu si temë kryesore: neutraliteti ukrainas.
Senatori JD Vance, kandidati i Trumpit për një post në Presidencë, në një intervistë me New York Times-in, në qershor, doli në favor të Ukrainës neutrale. Vance tha se qasja e tij do të ishte “garantimi i pavarësisë së Kievit, por edhe neutralitetit të tij … Neutraliteti është qartazi diçka që ata [rusët] e shohin si ekzistenciale për veten e tyre”.
Sipërfaqësisht, Ukraina neutrale tingëllon si opsion interesant. Finlanda dhe Austria ishin neutrale gjatë Luftës së Ftohtë. Të dy vendet ia dolën të mbeten demokratike dhe jashtë bllokut sovjetik.
Megjithatë, Administrata Biden mbetet dyshuese ndaj kërkesës së Rusisë për një Ukrainë neutrale, duke besuar se ambiciet e Vladimir Putinit nuk do të ndaleshin aty. Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, javën e kaluar më tha: “Është e qartë se ajo çfarë Rusia tani dëshiron, është Ukraina e sterilizuar e cila nuk mund ta mbrojë veten siç duhet. Ai ende dëshiron të nënshtrojë Ukrainën. E ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”.
Shpresat ruse për të neutralizuar Ukrainën, u bënë të qarta në propozimet e paqes të paraqitura nga Moska në vitin 2022 – në fillim të konfliktit. Ata këmbëngulën se Ukraina nuk duhet të bashkohet me NATO-n dhe se ushtria e Ukrainës duhet të reduktohet në 85 mijë trupa, ndërsa numri i tankeve të saj duhet të jetë jashtëzakonisht i kufizuar. Një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë: “Ata kërkonin që ne t’i vendosnim armët në magazinat të cilat ata do t’i ruanin. Dhe, veto e plotë mbi politikën tonë të jashtme”.
Nuk ka asnjë tregues se Rusia është tërhequr nga këto kërkesa maksimaliste. Ukrainasit e dinë se pranimi i propozimeve të Putinit do ta vendoste vendin e tyre përgjithmonë në mëshirën e Moskës. Por, është ende interesant debati aktual rreth neutralitetit, sepse hedh dritë mbi argumentet – të cilat po zhvillohen nën sipërfaqen e diskutimeve publike – se si të përfundohet lufta në Ukrainë.
Pjesa më e madhe e argumentit publik ende sillet rreth çështjes jetike dhe emocionale të territorit. Rusia vazhdon të këmbëngul se do të qëndrojë në të gjithë territorin që aktualisht ka pushtuar – dhe, gjithashtu, se Ukraina duhet të bëjë tërheqje të mëtejshme të trupave, pasuar nga një marrëveshje ndërkombëtare me të cilën rajonet e Donjeckut, Luganskit, Hersonit dhe Zaporizhisë do të jenë territor rus. Ukraina vazhdon të insistojë në rivendosjen e plotë të integritetit të vet territorial, përfshirë Krimenë. ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë thonë se do të mbështesin Ukrainën për “për aq kohë sa duhet” dhe se nuk do të imponojnë kushte paqeje për ukrainasit.
Luftërat janë të paparashikueshme, kështu që mbetet i mundshëm përparimi vendimtar i Ukrainës ose Rusisë në fushëbetejë. Por, kështu siç gjërat janë, nuk ka gjasa që Kievi të jetë në gjendje të rimarrë që të gjithë territorin e vet me forcën e armëve. Këtë e dinë ukrainasit dhe mbështetësit e tyre kryesorë perëndimorë – edhe nëse nuk e pranojnë këtë në publik. Bërja e lëshimeve territoriale në këmbim të paqes, po fiton njëfarë mbështetje në mesin e publikut ukrainas, megjithëse ende nuk është pozicion i shumicës.
Pengesa më e madhe për paqen nuk është ngurrimi i thellë i Ukrainës për të bërë lëshime territoriale – edhe pse realisht po. Është fakti se Rusia sërish do të kërkonte zgjidhjen që përfshin nënshtrimin e 80 përqindëshit të Ukrainës të cilin nuk e kontrollon. Ukrainasit kanë nevojë për garancinë se Rusia nuk do ta përdor zgjidhjen e paqes për t’u riarmatosur dhe më pas për t’u kthyer në ofensivë. Derisa ta kuptojnë këtë, nuk ka asnjë mundësi për një debat serioz në Kiev për kufijtë apo për territorin.
Kjo është arsyeja se pse garancitë e sigurisë për Ukrainën do të ishin thelbësore për çdo bisedim të ardhshëm për paqen. Qëndrimi aktual i Kievit është se Ukraina duhet t’i bashkohet NATO-s – që nënkupton mbulimin e vendit nga garancia e sigurisë kolektive e Aleancës. Samiti i fundit i NATO-s shpalli se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”. Por, shtoi se kjo do të ndodhë vetëm “kur aleatët bien dakord dhe kur plotësohen kushtet”.
Pranimi i Ukrainës në NATO, ndërkohë që Rusia ende pushton një pjesë të territorit të vendit, do të ishte punë e ndërlikuar. Model mund të jetë Gjermania Perëndimore e Luftës së Ftohtë. Por, anëtarësimi i Gjermanisë Perëndimore në NATO u mbështet nga vendosja e një numri të konsiderueshëm të trupave amerikane në tokën e Gjermanisë Perëndimore. Nuk ka asnjë garanci se Kongresi Amerikan do të pranojë vendosjen e trupave amerikane në Ukrainë.
Ideja tjetër që ka mbështetës të fuqishëm në Uashington, është “opsioni i Izraelit” (nganjëherë i quajtur opsioni i ferrëgjatit), i cili do të shmangte angazhimin formal të traktatit për të mbrojtur Ukrainën – e, në vend të kësaj, do të mbështeste ndërtimin e Ukrainës, me ndihmën e avancuar ushtarake perëndimore, në mënyrë që si e vetme të mund të pengojë agresionin e ardhshëm rus.
Por, edhe opsioni i ferrëgjatit do të binte në kundërshtim me kërkesën e Rusisë për një Ukrainë të sterilizuar. A mund të ndryshojë qëndrimi i Moskës? Rusët po pësojnë humbje marramendëse, të vlerësuara në mbi një mijë trupa të vrarë ose të plagosur për çdo ditë.
Por, Putini duket se po pret i ngjarjet në Amerikë. Administrata Biden nuk do të pajtohet me sterilizimin e Ukrainës. Por, mundet Administratë Trump-Vance. Për sa kohë që rezultati i zgjedhjeve në ShBA mbetet në dyshim, Putini ka çdo shtytje për të vazhduar luftën. /Telegrafi/