Site icon Telegrafi

Trump thotë se armëpushimi duhet të vijë “sa më shpejt të jetë e mundur”, beson se ‘kostoja dhe barra’ e sigurimit të paqes duhet të bie mbi kombet e Evropës

Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur të flasë në një konferencë shtypi me presidentin francez Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë.

Ai filloi duke e përshkruar Macronin si mikun e tij dhe thotë se është “i kënaqur” që e mirëpret atë në Shtëpinë e Bardhë.

“Qëllimi i takimit tonë sot është t’i japim fund një beteje tjetër, vërtet të tmerrshme, diçka që nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Trump.

Ai përsëriti pretendimin e tij se lufta në Ukrainë “nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të ishte ai president”, transmeton Telegrafi.

“Është koha për të rivendosur paqen dhe unë mendoj se ne do ta bëjmë atë”, tha Trump, duke shtuar se “ne kemi pasur disa biseda të shkëlqyera, duke përfshirë edhe Rusinë”.

“Që nga kthimi im në Shtëpinë e Bardhë, ne kemi bërë më shumë përparim drejt këtij qëllimi në një muaj që ndodhi në tre vitet e fundit”, shtoi presidenti amerikan.

Trump theksoi se fokusi është tani në “arritjen e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në fund të fundit një paqe të përhershme”.

Ai gjithashtu ka folur për financimin e luftës në Ukrainë, duke argumentuar se “kostoja dhe barra” nuk duhet të vijnë vetëm nga SHBA.

“Unë jam gjithashtu i kënaqur që Macron pajtohet që koston dhe barrën e sigurimit të paqes duhet ta mbajnë kombet e Evropës, jo vetëm nga SHBA, dhe Evropa duhet të marrë atë rol qendror për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës, gjë që ata duan ta bëjnë”, tha ai.

Trump tha se SHBA ka dhënë shumë më tepër ndihmë për Ukrainën se çdo komb tjetër.

“Qindra miliarda dollarë”, shtoi Trump, duke thënë se ka një “diferencë të madhe” midis shumës së shpenzuar nga Evropa dhe SHBA. /Telegrafi/

Exit mobile version