Site icon Telegrafi

Trump përballet me 37 akuza penale lidhur me dokumentat e klasifikuara

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përballet me 37 akuza penale, mes së cilave për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara dhe konspiracion për të penguar drejtësinë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, sipas dokumenteve të gjykatës federale të bëra publike të premten.

Departamenti i Drejtësisë i bëri publike dokumentet e aktpadisë, në një ditë kur dy nga avokatët e Trump dhanë dorëheqjen. Edhe një ish ndihmës i Trump përballet me akuza.

Akuzat janë të lidhura me dokumentat e ndjeshme qeveritare që Trump mori me vete në Mar-a-Lago kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021.

Sipas aktakuzës, mes dokumenteve ishin disa nga sekretet më të ndjeshme ushtarake amerikane, përfshirë informacion mbi programin bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme brenda vendit në rast të një sulmi.

Një nga dokumentet fliste për mbështetjen e terrorizmit nga një vend i huaj kundër interesave të SHBA-së.

Materialet vinin nga Pentagoni, CIA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera të zbulimit, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Trump i tregoi një personi tjetër një dokument të Departamentit të Mbrojtjes të cilësuar si një “plan sulmi” kundër një vendi tjetër.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se Trump kishte ndarë me persona të tjerë një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak. /VOA/

Exit mobile version