Site icon Telegrafi

Trump hedh votën pranë shtëpisë së tij në Florida, thotë se po ia dalin shumë mirë

Donald Trump ka arritur në Palm Beach në afërsi të shtëpisë së tij i shoqëruar nga bashkëshortja Melania – ku atje ai votoi.

Me kapelën e kuqe MAGA, ish-presidenti u ndalë për të biseduar me mediat, transmeton Telegrafi.

“Ndihem i nderuar që pashë radhët e gjata duke pritur të votojnë. Radhë të gjata republikane”, tha Trump.

Ai theksoi se është kthyer në Florida “shumë vonë mbrëmë” pas “katër mitingjeve të pabesueshme”.

“Kam dëgjuar se po ia dalim shumë mirë”, shtoi ish-presidenti.

I pyetur nga një gazetar se si do t’u afrohet votuesve që janë kundër tij, Trump tha se “duan të sjellin të gjithë brenda” dhe “do të jenë shumë përfshirës”.

“Kemi një vend të madh, por kemi një vend që është në telashe. Është në telashe të mëdha në shumë mënyra dhe ne duhet ta rregullojmë atë”, thotë ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version