Site icon Telegrafi

Trump dhe Pompeo urojnë myslimanët me rastin e Ramazanit

Presidenti amerikan Donald Trump uroi myslimanët në SHBA dhe në mbarë botën me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Për miliona njerëz në të gjithë globin”, shkruan presidenti Trump, “ky muaj i shenjtë është një mundësi për të përtëritur dhe forcuar besimin e tyre përmes agjërimit të rreptë, faljeve së devotshme, meditimit dhe reflektimit, leximit të Kuranit dhe veprave bamirëse. Këto akte përputhen ngushtë me vlerat universale që promovon besimi islam – paqja, mirësia, dashuria dhe respekti për të tjerët”.

“Gjatë muajve të kaluar”, shkruan ai, “kemi parë se sa e rëndësishme mund të jetë fuqia e faljes në kohë të vështira”.

Ndërsa Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, shkruan në mesazhin e tij se në Shtetet e Bashkuara, në rrethana normale, shumë xhami, shtëpi dhe qendra komunitare mirëpresin miqtë dhe fqinjët e besimeve të ndryshme, por këtë vit COVID-19 ka sjellë ndryshime të papritura për festimet e myslimanëve në të gjithë botën.

“Myslimanët që planifikonin të shkonin në Mekë për haxhillëk dhe për të vizituar dy xhamitë e shenjta të Mekës dhe Medinës, po inkurajohen t’i shtyjnë planet për të frenuar përhapjen e sëmundjes. Iftari nuk do të mund të ndahet, siç bëhet tradicionalisht, me familjen dhe miqtë; shumë aktivitete do të zhvendosen në platformat online”.

“Në kushte normale”, shkruan Sekretari Pompeo, “shumë nga ambasadat dhe konsullatat e SHBA në mbarë botën organizojnë pritje të iftarit, ndërsa këtë vit, ato do të angazhohen me mënyra krijuese që vazhdojnë të demonstrojnë vlerat e përbashkëta njerëzore dhe angazhimin për të promovuar lirinë fetare”. /VOA/

Exit mobile version