Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se sot ka larguar përkohësisht nga puna edhe tre punëtorë tjerë me iniciale F.B., H.M. dhe Sh.S.
“Trepça” ka njoftuar se ky vendim është marrë nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit, të njëjtit kanë kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.
“Për shkak se të njëjtit kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5, 1.13 dhe 1.52 të Rregullores nr.prot:2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që gjatë ditëve të fundit kjo ndërmarrje ka larguar nga puna një numër të konsiderueshëm të punëtorëve, referuar njoftimeve, kjo ka ndodhur për shkak se të njëjtit kanë shkelur rëndë detyrat e punës.
Gjatë ditës së djeshme, një punëtor u largua nga puna sepse sipas njoftimit, ai ka keqpërdorur sistemin elektronik për hyrje dhe dalje. Ndërsa, gjatë të martës u larguan nga puna gjithsej shtatë punëtorë./Telegrafi/