Pas tri humbjeve radhazi në të gjitha garat (dy në Superligë dhe një në BIBL), Trepça i është kthyer fitores duke e mposhtur Kerasan Prishtinën në udhëtim për të arritur te fitorja e katërt e stinorit në përgjithësi.
Basketbollistët e Trepçës u drejtuan nga Ilir Selmani, ndërsa trajneri i ri i ekipit Dimitris Papadopoulos ka shikuar lojën, transmeton Borozani.com.
Lajm i mirë është se në ekip janë rikthyer vëllezërit Zekiqi, Samiri e Burimi, që nuk kanë qenë prezentë në disa takime.
Sa i përket lojës ndaj Kerasanit, gjelbërezinjtë kanë nisur furishëm, duke e përfunduar çerekun e parë 30:6, për të treguar forcën e skuadrës.
Më pas Trepça ‘largoi këmbën nga gazi’ dhe çoi ndeshjen qetë deri në fund për të fituar bindshëm, 98-54.
Samir Zekiqi ka shkëlqyer me 25 pikë të shënuara (pesë treshe nga 10 tentime), ndërsa Jeremy Wise, Nikola Ljujic e Beznik Azemi kanë shënuar gjithashtu pikë dyshifrore në fitoren e ekipit.
Pas kësaj ndeshjeje, Trepça ka bilanc 4-3, ndërsa Kerasani mbetet pa fitore, 0-7.