Dyshime se rekomandimet e dhëna nga misioni i OSBE-së, për sistemin e drejtësisë në Kosovë, për trajtimin e rasteve të korrupsionit e krimit të organizuar kanë avokatët. Ata thonë se këto rekomandime janë pasqyrë e asaj me të cilën përballen çdo ditë në rastet që ata kanë.
Një varg rekomandimesh për përmirësim në trajtimin e rasteve të korrupsionit e krimit të organizuar iu drejtuan sistemit të drejtësisë, nga misioni i OSBE-së, në Kosovë.
Javën e kaluar OSBE ka publikuar raportin mbi monitorimin e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me trajtimin e këtyre veprave, ndërkohë që përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë u zotuan se të njëjtat do të merren parasysh.
Mirëpo skeptik shprehen avokatët në lidhje me zbatimin e përmirësimin e gjendjes për këto raste edhe në raste të tjera.
“Kemi dilema apo dyshime që si të tilla do të zbatohen për shkak se për shembull flitet edhe për numër të madh të rasteve e vonesa në trajtimin e tyre e që pa rritjen e numrit të gjyqtareve e pa rritjen e mbikëqyrjes së performances profesionale këto nuk mund të arrihen”, deklaroi Florim Shefqeti – avokat.
Në anën tjetër avokati Musa Damati përmend edhe masën e caktimit të paraburgimit, e cila praktikohet shumë në Kosovë, ndonëse edhe misioni i OSBE-së, vazhdimisht kishte qenë kritikuese ndaj sistemit të drejtësisë për këtë.
“Në praktikën gjyqësore të Gjykatave të rregullta të Republikës së Kosovës, është një çakordim i plotë, për sa i përket ekzistimit të praktikave konstruktive në zbatim dhe respektim të respektimit të të Drejtave të Njeriut. Konkretisht me rastin e zbatimit të masës së paraburgimit shohim se ajo vie në shprehje fatkeqësisht në rastet kur i kemi të bëjmë me vepra penale të mjedisit, prerjes së pyllit ajo zbatohet, ndërsa për çudi kur kemi të bëjmë me vepra penale të jakës së bardhë për veprat që i ngarkojnë profilet e politikës, apo edhe në rastet kur kemi të bëjmë me krim të organizuar masa e paraburgimit nuk zbatohet”, deklaroi Musa Damati – avokat.
Ndër gjetjet më kryesore të përmendura në këtë raport, ishte edhe numri i madh i aktgjykimeve liruese në rastet e korrupsionit e krimit të organizuar./Dukagjini/