Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, është liruar nga spitali në qytetin serb Prokuple, pas gati 24 orësh të ndalimit në postbllokun policor serb në vendkalimin kufitar në Merdar.
Trajkoviq ka bërë të ditur se është liruar për mjekim në shtëpi, ndërsa ka thënë se përvoja e fundit e ka bërë edhe më të fortë.
Ajo tutje ka kritikuar Qeverinë e Serbisë, duke thënë se nuk priste më mirë nga regjimi. Sipas saj, maska pro-evropiane e regjimit ka rënë.
“Përshëndetje, njerëz të mirë. Mëngjesin e sotëm në orën 06:00 dola nga spitali për mjekim në shtëpi. Faleminderit secilit prej jush që luftuat për mua. Kjo më bëri më të fortë. Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që me vendosmëri folën për torturën. Ata u treguan njerëz të mrekullueshëm! Nuk prisja më mirë nga regjimi”.
“Ditët e fundit kanë ekspozuar fytyrën e tyre të vërtetë. Maska ‘pro-evropiane’ ka rënë dhe ne të gjithë e dimë tani me kë kemi të bëjmë: njerëz që urrejnë patologjikisht kundërshtarët dhe abuzojnë me ligjin për të shkatërruar këdo që i pengon, qoftë serb, shqiptar, kroat… Nëse kjo më ka ndodhur mua, të cilin publiku e njeh mirë si dikë që ka 20 vjet që lufton për serbët në KS, atëherë e njëjta gjë mund t’i ndodhë kujtdo”, ka shkruar Trajkoviq në rrjetin social Twitter.
Ajo tutje është shprehur se me veprimet e tij, regjimi serb ka hequr dorë publikisht nga vlerat civilizuese.
“Më dhemb të mendoj se për sa histori të ngjashme publiku nuk ka dëgjuar. Por, një gjë është e vërtetë: me veprimet e tij, ky regjim heq dorë publikisht nga vlerat civilizuese. Sepse si mund të punojë një vend për stabilitetin rajonal kur shërbimet e tij të sigurisë udhëhiqen nga njerëz të paqëndrueshëm, kapriçioz dhe të komprometuar nga siguria. Regjimi ka humbur të gjithë kuptimin e asaj që është e pranueshme në Evropën moderne. Dje ishte një rikthim në të kaluarën e errët”.
Ne fund, Trajkoviq ju ka bërë thirrje të gjithëve që të përballen me këtë regresion, “secili në mënyrën tuaj, çdo ditë dhe pa asnjë grimë frikë”.
“Çfarëdo që të kushtojë (afatshkurtër). Nuk më interesojnë sulmet. Kam 20 vjet që jetoj me gënjeshtra për veten time. Jam mësuar. Më intereson drejtësia, liria dhe e vërteta. Dhe për këtë ia vlen të luftosh”.
Pozdrav, dobri ljudi. Jutros u 6h, puštena sam iz bolnice na kućno lečenje. Stabilno sam.
Hvala svakom od vas ko se za mene borio. To me je ojačalo.
Hvala i svim političkim akterima i na Kosovu i u Srbiji koji su se decidno oglasili o torturi.
Pokazali su se kao veliki ljudi!
— Rada Trajkovic (@trajkovic_rada) December 17, 2022
Rada Trajkoviq është ndaluar të enjten nga policia serbe në pikën kufitare me Kosovën dhe që nga mbrëmja e së premtes nuk i është lejuar të hyjë në Serbi.
Politikania serbe që është kritike ndaj politikës së Beogradit zyrtar, ka treguar se të enjten, rrugës nga Serbia për në Kosovë është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare Merdar. Sipas saj, aty është mbajtur për katër orë, pa asnjë arsyetim apo shpjegim.
24 orë pas ndalimit gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua ndaj e njëjta u transferua me autoambulancë në qytetin serb Prokuple. /Telegrafi/