Telegrafi

Tornado në Iowa ia merr jetën disa personave – qyteti Greenfield shndërrohet në rrënoja

Një tornado e fuqishme goditi një qytet të vogël të Iowa-s të martën, duke ia marrë jetën shumë njerëzve dhe duke lënë dhjetëra të lënduar, thanë autoritetet.

Imazhet nga qyteti i Greenfield tregojnë pasojat me shtëpi të kthyera në copa, mbeturina të shpërndara kudo dhe disa turbina të mëdha me erë të rrëzuara, transmeton Telegrafi.

“Ky tornado ka shkatërruar një pjesë të mirë të këtij qyteti”, tha Alex Dinkla, zëdhënës i policisë së Iowa-s gjatë një konference shtypi në Greenfield.

“Ne mund të konfirmojmë se ka pasur shumë viktima nga kjo tornado”, shtoi Dinkla.

Ai nuk zbuloi numrin e të vdekurve, por theksoi se kjo shifër mund të sigurohet pasi të qetësohet situata në terren.

Dhjetëra persona në Greenfield, një qytet i vogël me rreth 2 mijë banorë, kanë mbetur të lënduar nga tornadoja, ndërsa si pasojë e shkatërrimit të pjesshëm të spitalit, të lënduar janë dërguar në spitalet e qyteteve tjera të afërta.

Guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds ka njoftuar se do të vizitojë Greenfield-in.

“Derisa është ende herët të flitet për pasojat e stuhisë, përgjigjet do t’i merrni në ditët në vijim”, shtoi guvernatorja Reynolds. /Telegrafi/