Aktori Tom Hanks beson se mund të vazhdojë të shfaqet në filma të rinj edhe pasi të vdesë, falë fuqisë së inteligjencës artificiale (AI).
66-vjeçari tha për episodin e fundit të ‘The Adam Buxton Podcast’ se, nëse do të donte, mund të prezantonte një seri prej shtatë filmash, në të cilët do të ishte 32 vjeçar.
“Të gjithë mund ta rikrijojnë veten në çdo moshë duke përdorur inteligjencën artificiale ose teknologjinë ‘deepfake’. Unë mund të goditem nga një autobus nesër dhe kjo do të ishte gjithçka, por rolet e mia mund të vazhdojnë dhe vazhdojnë”.
“Përveç të diturit se është bërë nga inteligjenca artificiale ose ‘deepfake’, asgjë nuk do t’ju zbulojë se nuk jam unë dhe gjithashtu do të ketë një shkallë të caktuar të cilësisë së jetës”, është shprehur aktori fitues i çmimit Oscar.
Buxton më pas sugjeroi se njerëzit do të ishin në gjendje ta dallonin ‘AI Hanksin’ nga versioni real. Ndërsa aktori pranoi se versioni i tij ‘AI’ nuk do të ishte në gjendje të performonte aq mirë sa ai tani, ndërsa një çështje diskutimi është nëse kjo do t’i pengonte publikut.
“Njerëzit pa dyshim do të jenë në gjendje ta bëjnë dallimin, por pyetja është a do t’u pengojë? Ka njerëz për të cilët është njësoj e që nuk do ta bëjnë atë përkufizim”, ka thënë tutje.
Krijimi i AI Hanks do të bëhej më i lehtë, sepse pamja dhe lëvizjet e tij ishin xhiruar për nevojat e filmit të vitit 2004, “The Polar Express”. Hanks ka deklaruar gjithashtu se zhvillimi i inteligjencës artificiale po inkurajon agjentët filmikë të shkruajnë kontrata për të mbrojtur personazhet e aktorëve si pronë intelektuale.
“Mund t’ju them se po bëhen diskutime në të gjitha nivelet, të gjitha agjencitë dhe të gjitha firmat juridike, për të arritur pasojat juridike të fytyrës dhe zërit tim dhe të njerëzve të tjerë, dhe që të gjitha të mbeten pronë e jona intelektuale”, ka shpjeguar ai.
Ndryshe, Hanks aktualisht është duke promovuar romanin e tij debutues, “The Making of Another Major Motion Picture Remekpiece”. /Telegrafi/