Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës, nga muaji mars, do të fillojë zbatimin e projektit të tiketave ngjitëse për automjetet, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të kësaj ministrie.
Tiketa ngjitëse merret me rastin e kontrollit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij, dhe ajo duhet të vendoset në një vend të dukshëm të veturës.
Projekti është pezulluar në korrik të vitit të kaluar nga vetë ministria, për shkak të kundërshtimeve të qytetarëve dhe disa deputetëve për të paguar çmimin e tiketës, që pritej të ishte rreth 5 euro.
Në Ministrinë e Mjedisit thonë se kjo pagesë është hequr.
“Nga 1 marsi do të fillojmë implementimin e projektit të ‘tiketave ngjitëse’, me zero kosto për qytetarët dhe pa asnjë ngarkesë për buxhetin e shtetit”, thuhet në një deklaratë me shkrim të kësaj ministrie.
Sipas saj, kjo është arritur falë bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Gjatë kësaj jave, zëvendësministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, zhvilloi një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Sipas zyrtarëve të BQK-së, projekt i tiketave ngjitëse e ka përkrahjen e plotë nga ky institucion.
Pagesën për tiketë ngjitëse të automjeteve e ka marrë përsipër Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).
Sami Mazreku, drejtor në BKS, konfirmon se dhënia e tiketave do të nisë më 1 mars.
“Me rendësi është që qytetari nuk do të paguajë shtesë, procedurat i zhvillojmë ne. Procedurat i përcakton asambleja si organi më i lartë në byro, që mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës. Për të gjitha këto, do të japim informata në kohë”, thotë Mazreku.
Sipas tij, këto tiketa do ta ndihmojnë Policinë e Kosovës që t’i identifikojë veturat që nuk e kanë kaluar kontrollin teknik dhe rrjedhimisht nuk duhet të jenë në qarkullim.
“Ato vetura që janë të paregjistruara, kur dalin në qarkullim, nuk i paguajnë taksë shtetit, nuk paguajnë pjesën e sigurimit te ne. Në vit, nga veturat e paregjistruara, ne nuk inkasojmë deri në 10 milionë euro. Po ashtu, si byro, ne paguajmë deri në 6 milionë euro dëme që janë pasojë e veturave të paregjistruara”, thotë Mazreku.
Veturat e paregjistruara në Kosovë janë sfidë e madhe për institucionet tash e sa vite.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i këtyre veturave në territorin e Kosovës është mbi 200 mijë.
Në Ministrinë e Infrastrukturës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se do të ndërmarrim disa hapa të koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, për t’i bërë ndryshimet e nevojshme të akteve nënligjore, në mënyrë që të zvogëlohet numri i automjeteve të paregjistruara – gjë që është kriter kryesor për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore.
Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe, së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasigurta në qarkullim.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se pas tiketave ngjitëse do të vazhdohet edhe me projektin e pajisjeve digjitale – si pilot-projekt për Prishtinën – të cilat do t’i detektojnë automjetet e paregjistruara. /REL/