Brazili është Kombëtarja favorite për ta fituar Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’.
‘Selecao’ kanë kaluar në çerekfinale pas triumfit ndaj Koresë së Jugut me rezultat të thellë 4-1.
Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva ka folur për ecurinë e deritanishme, duke thënë se i pret një duel i vështirë në çerekfinale ndaj Kroacisë.
“Ne jemi të fortë në fushë, por edhe në kokat tona. Nuk ishte ndeshje e lehtë ajo ndaj Koresë së Jugut. Punuam shumë në lidhje me përgatitjen e asaj ndeshjeje, nuk mund të mos i respektonim koreanët”.
“Para se të mendojmë për gjysmëfinalen e mundshme kundër Argjentinës, ne duhet të fokusohemi te Kroacia. I respektojmë të gjithë, por nuk i frikësohemi askujt. Duhet të vazhdojmë përpara me futbollin tonë guximtar dhe spektakolar”, ka thënë kapiteni Thiago Silva.
Tutje qendërmbrojtësi brazilian foli edhe për rëndësinë e yllit Neymar në Kombëtare, duke thënë se sulmuesi i PSG-së dëshiron me çdo kusht ta fitoj Kupën e Botës.
“Neymar është i domosdoshëm për ne. Ai kaloi një javë të komplikuar dhe zbriti në fushë me vetëm dy seanca stërvitore. Ai ka treguar se është 100% i fokusuar te Kupa e Botës dhe se e dëshiron me çdo kusht fitoren finale”, u shpreh Thiago Silva. /Telegrafi/