Hashim Thaçi, president i Kosovës, ka thënë se në takimin e së enjtes me presidentin serb Aleksandar Vuçiq do të bëjë përpjekje maksimale që të përafrojë qëndrimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obliguese.
Ai këto komente i ka bërë në Bruksel, para gazetarëve.
“Ky është takimi i radhës në kuadër të procesit final të mundësisë së arritjes së marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje obliguese ligjërisht në rrafshin ndërkombëtar dhe gjithëpërfshirësise – që nënkupton njohjen reciproke të dy vendeve dhe mundësimin për anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka shtuar Thaçi.
Ai më tutje ka thënë se nuk do të jetë e lehtë rruga deri të arritja e marrëveshjes, duke theksuar se kjo është mundësia më e mirë për të ecur drejt rrugës euroatlantike.
“E di se nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi ka pengesa, ka ballafaqime, por arritja e marrëveshjes është mundësia më e mirë për të lëvizur drejt perspektivës evropiane, prandaj do të bëhen të gjitha përpjekjet maksimale që të përafrohen qëndrimet në interesin e arritjes së marrëveshjes. Kjo është një mundësi e radhës e udhëhequr nga zonja Mogherini, nga BE në mbështetje të SHBA-së, prandaj edhe synimi i Kosovës është të ketë fqinjësi të mirë me të gjitha vendet në kuadër të saj edhe me Serbinë në mënyrë që të lëvizim lirshëm drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe të hapim perspektivën globale për shtetin e Kosovës. “, ka shtuar më tej Thaçi. /Telegrafi/