Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për mediumin kroat Vecernji List, ka folur edhe për marrëdhëniet me Kroacinë, gjegjësisht raportin e institucioneve me komunitetin kroat në Kosovë.
“Sapo mora detyrën si President i Republikës së Kosovës, vizita e parë që realizova ishte vizita tek komuniteti kroat në Janjevë. Ndër nismat e para që kam ndërmarrë ka qenë edhe reforma zgjedhore, e cila përfshin ndryshimet kushtetuese dhe njohjen e komunitetit kroat dhe malazez”, ka thënë Thaçi, përcjell Telegrafi.
Kështu, siç ka thënë presidenti Thaçi, atyre do tu garantohet nga një vend në Kuvendin e Kosovës.
“Parlamenti i ri, i cili do të krijohet pas zgjedhjeve do të trajtojë këtë çështje. Në Kosovë ka konsensus për përfshirjen e komunitetit kroat në Kushtetutën e Kosovës. Kjo së shpejti do të ndodhë”, ka thënë ndër tjerash presidenti Thaçi për Vecernji list. /Telegrafi/