Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti ka folur për takimin e sotëm me liderët politik në vend, Ramush Haradinaj e Kadri Veselin dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Thaçi tha se takimi i sotëm i ka kontribuar qartësisë së agjendës, ndërsa tha se nuk ka individ e as agjendë ditore që do të sfidojë partneritetin e shtetit të Kosovës me SHBA-të.
“Takimet e tilla ndodhin shpesh. Takime të rregullta, me ambasadorin amerikan dhe bartësit e institucioneve të vendit dhe liderët në përkushtimin që kemi për një koordinim më të mirë në agjendat që kemi para nesh”, tha ai.
Thaçi tha se do të jenë gjithmonë në koordinim dhe konsultim të ngushtë me SHBA-të.
“Takim që i ka kontribuar qartësisë së agjendës dhe natyrisht fuqizimit të bashkëpunimit me SHBA-të… Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet mik i përjetshëm i SHBA-ve dhe nuk ka individ a agjendë ditore që do të sfidojë këtë partneritet të shtetit të Kosovës, as sot e as në të ardhmen me SHBA-të. /Telegrafi/