Site icon Telegrafi

Tetë muaj nga zhdukja e mostrave të Deharit, ende asnjë i arrestuar

Brenda Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë në Laboratorin e Toksikologjisë, vazhdojnë të ruhen një pjesë e mostrave të aktivistit të ndjerë, Astrit Dehari.

Por, një pjesë e mostrave ende mungojnë që nga zhdukja e tyre në dhjetor të vitit të kaluar. Ende nuk janë gjetur mostrat e gjakut. Në lidhje me zhdukjen e këtyre mostrave ishin suspenduar katër zyrtarë të IML-së, e që pas dy muajsh ata u rikthyen në vendin e tyre të punës.

Por që nga ajo kohë, ende nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, thotë se të gjithë të intervistuarit janë në cilësinë e dëshmitarëve.

“Një pjesë e mostrave nuk janë gjetur vazhdojnë të mungojnë dhe në ndërkohë policia së bashku me autorizimin e prokurorisë ka kryer hetimet edhe në IML për momentin për momentit aq sa kemi informata hetimet janë duke vazhduar mirëpo nuk i kemi asnjë informatë se dikush është i dyshimtë me sa dimë ne të gjithë janë në cilësinë e dëshmitarit nuk ka asnjë person të dyshimtë”, tha për RTK Ditor Haliti u.d së Drejtorit të IML-së

Haliti thotë se vazhdojnë të mungojnë mostrat e gjakut.

Lexo po ashtu Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit dhe problemet në IML, Haxhiu: Një nga sfidat më të mëdha nën ombrellën e MD-së

“Ende mungojnë mostrat e gjaku, janë gjetur vetëm mostrat e urinës dhe lukthit, është me rëndësi me thanë që ato mostra kanë qenë të ruajtura dhe janë shfrytëzua ma herët për analizat toksilogjike qoftë në Kosovë dhe jashtë Kosovës është dashur të jenë “, tha Ditor Haliti u.d së Drejtorit të IML-së

Ndërkohë avokati Tomë Gashi, i cili që nga fillimi ka pasur në dorë rastin Dehari, ndonëse disa herë përmes shkresave ka kërkuar nga Prokuroria Speciale dhe Prokurori i rastit Afrim Shefkiu të dijë se çfarë ka ndodhur tash e 8 muaj me këtë skandal siç e ka quajtur, ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Ne dërgojmë kërkesa të shkruar për më tepër se 8 muaj dhe prokurori i rastit nuk përgjigjet fare. Unë mendoj se nëse prokurori e ka këtë rast dhe e dimë që rasti është tek prokuroi Afrim Shefkiu ka detyrë edhe ligjore edhe morale edhe njerëzore që të përgjigjet me këtë çështje se çfarë po ndodhë me rastin konkret me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit që është IML dhe pretendimet në media që një pjesë e tyre janë kthyer”, Tomë Gashi avokat i familjes Dehari.

Ai ka thënë se fare lehtë mund të identifikohen personat të cilët i kanë marrë mostrat pasi i tërë ambienti në IML është në mbulimin e kamerave.

“Gjithçka është e monitoruar me kamera dhe fare lehet mund të monitorohet personat dhe skandali tjetër pasues është që një pjesë e mostrave janë kthyer kjo është thjesht me të çmend”, tha Tom Gashi avokat i familjes Dehari.

Humbjen e mostrave të Deharit e kishte lajmëruar ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu dhjetorin e kaluar.

Exit mobile version