Telegrafi

Tërmeti në Shqipëri, goditja e parë e fuqishme u shoqërua edhe nga dy lëkundje të tjera sizmike

Foto: Arkiv

Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë në orët e para të së mërkurës kryesisht në zonën bregdetare nga Durrësi e deri në Ulqin.

Qendra Evropiane e Sizmologjisë raporton se tërmeti me magnitudë 4,6 rihter është regjistruar në orën 02:42 të së mërkurës me epiqendër në detin Adriatik, 37 km larg Durrësit. Sipas EMSC, thellësia e tërmetit ishte 12,2 km. Lëkundjet u ndjenë në Durrës, Laç, Lezhë, Shkodër e deri në Ulqin.

Lexo po ashtu Tërmet në orët e hershme në Shqipëri, lëkundje të forta në disa qytete

Shumë banorë të këtyre zonave janë zgjuar të tmerruar dhe disa prej tyre kanë komentuar në faqen e uebit të Qendrës Evropiane të Sizmologjisë. “E tundi mirë”; “I frikshëm”, shkruajnë dy banorë nga Durrësi. “Në Lalz u ndje shumë”, shkruan një tjetër. “I frikshëm! Në katin e 10 në Shëngjin dhe ishte i tmerrshëm”, shkruan dikush tjetër.

Ndërkohë, tërmeti i parë i fortë është shoqëruar edhe nga dy pasgoditje njëra 2,6 dhe tjetra 2,2 të shkallës rihter.

Fatmirësisht, deri tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale në zonat ku tërmeti është ndjerë më shumë. /Telegrafi/