KF Llapi përmes një komunikate në rrjetet sociale kanë bërë të ditur arsyen pse askush nga klubi nuk do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e çmimeve nga FFK-ja për më të mirët e vitit në Superligën e Kosovës.
Në këtë vendim të tyre ata kanë thënë se kanë ndikuar zhvillimet e fundit dhe tendencat që ata pretendojnë që po dëmtojnë Llapin.
“Për shkak të zhvillimeve dhe tendencave që dëmtojnë KF Llapin, kryesia e klubit ka vendosur të bojkotojë ceremoninë “Laureatët e Vitit 2024”.
“Ne besojmë se momentalisht nuk ekzistojnë kushtet e duhura për të qenë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, për shkak të situatës aktuale në futbollin kosovar”.
“Bojkoti ynë ndaj FFK-së do të vazhdojë deri në momentin kur ky institucion të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e situatës dhe funksionimit të futbollit në vendin tonë”, thuhej në njoftimin e Llapit.
Kujtojmë se Llapi sot luajti baras me rezultat 0-0 ndaj Dukagjinit në Podujevë, ku pati një gol të anuluar të Hamdi Namanit që i ka frustruar tej mase drejtuesit e klubit llapjan./Telegrafi/