Ndërsa koalicioni i krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor (NFP) po përpiqet ende të bie dakord se kë do të emërojë si kryeministër të ri të Francës, socialistët duket se kanë bërë hapin e parë në këtë drejtim.
Konkretisht, njeriu i parë i Partisë Socialiste të Francës, Olivier Faure, ka komentuar formimin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare dhe ka thënë se NFP do të propozojë zgjidhjen më të mirë.
“Për sa më përket mua, unë jam gati të marr atë pozicion. Sigurisht, ne do ta bëjmë këtë vetëm në dialog me partnerët”, tha Faure.
Ai theksoi se dialogu është jashtëzakonisht i rëndësishëm, raportojnë mediat e huaja.
“Nuk mund të ketë pretendime për hegjemoninë, asnjë dëshirë për t’u imponuar të tjerëve, pa asnjë dialog. Fronti i ri popullor do të funksionojë vetëm me një kusht – që të dijë të veprojë me konsensus,” beson Faure.
Kur bëhet fjalë për bisedimet për emërimin e kryeministrit, Faure tregon se është çështje ditësh.
“Nuk jemi me nxitim, kreu i shtetit është në Uashington, ai është i vendosur të mos ecë më shpejt se ritmi aktual”, tha ai.
Ndryshe, Fronti i Ri Popullor, një koalicion i formuar me nxitim i socialistëve, komunistëve, të gjelbërve dhe partisë së majtë France Unbowed, do të marrë 182-193 vende në Parlamentin francez, nga 577 në total.
Pasohet nga koalicioni i Ansamble të presidentit Emmanuel Macron, i cili do të marrë 157-163 vende, një rënie e ndjeshme nga 245 që fitoi në zgjedhjet më të fundit të vitit 2022.
Pavarësisht kryesimit të sondazheve në raundin e parë të mbajtur më 30 qershor, Fronti Kombëtar i Marine Le Pen-it do të marrë 136-144 vende, të cilat me sa duket do të shkatërrojnë shpresat për të vendosur si kryeministër Jordan Bardella-n. /Telegrafi/